Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka kundërshtuar ashpër një hetim ndaj tij i cili gjeti se ai i kishte keqpërdorur top dokumentet e klasifikuara dhe se kishte hasur në vështirësi t’i sillte ndër mend ngjarjet e rëndësishme jetësore.
“Kujtesën e kam të mirë”, u përgjigj Biden me zemërim të enjten në Shtëpinë e Bardhë ndaj hetimit të prokurorit të posaçëm Robert Hur, duke e mohuar se kishte harruar se kur i kishte vdekur djali. Beau Biden vdiq nga kanceri në tru në vitin 2015, në moshën 46 vjeçe.
Hetimi gjeti se Bideni “me dashje i mbajti dhe i publikoi” dosjet e klasifikuara, por Hur tha se ka vendosur të mos ngrejë aktakuzë kundër tij.
Prokurori i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, Robert Hur, tha se Bideni i kishte mbajtur dokumentet e klasifikuara në mënyrë të papërshtatshme, të cilat kanë të bëjnë me politikën e jashtme dhe ushtarake në Afganistan, pasi shërbeu si zëvendëspresident.
Në raport, i cili u publikua një ditë më parë, thuhet se kujtesa e presidentit ka “kufizime të mëdha”.
Hur e intervistoi presidentin 81-vjeçar për pesë orë si pjesë e hetimit të tij.
Prokurori i posaçëm, një republikan i emëruar nga prokurori i përgjithshëm i Bidenit, Merrick Garland, tha se Bidenit nuk i kujtohej se në cilën kohë ishte zëvendëspresident (nga 2009 deri më 2017), apo “madje as kur djali i tij Beau kishte vdekur”.
Në konferencën për media të së enjtes mbrëma, Bideni ishte emocional dhe i kritikoi gjetjet e hetimit se atij nuk i kujtoheshin ngjarjet personale.
“Sinqerisht, kur m’u bë ajo pyetje thashë me vete, kjo nuk është puna e tyre”, tha Biden.
“Nuk kam nevojë që dikush të ma kujtojë se kur vdiq ai [Beau Biden]”, shtoi ai.
Ai tha se ishte “shumë i zënë… duke u marrë me çështje të krizës ndërkombëtare” kur ishte intervistuar nga prokurori i posaçëm nga 8 deri më 9 tetor 2023 – tamam kur shpërtheu lufta Izrael-Hamas.
Prokurori i posaçëm theksoi do të ishte e vështirë të dënohej presidenti për keqpërdorim të dosjeve, sepse “në gjykim, Bideni me gjasë do të prezantohej para jurisë, siç bëri edhe gjatë intervistës me ne, si një i moshuar zemërdhembshur dhe me kujtesë të dobët”.