//

Mediat në Norvegji raportojnë për arrestimin e kosovarit të shumëkërkuar për vrasjen e tri viteve më parë, pritet ekstradimi

FAST Kosova me mbështetje të Njësisë Speciale Operative gjatë ditës së djeshme ka arrestuar 35-vjeçarin, Visar Avdyli i cili në vitin 2021 akuzohet se kishte vrarë një 20-vjeçar, shkruan Reporteri.net.

Përveç Visarit, autoritetet norvegjeze patën shpallur në kërkim edhe vëllain e tij, Valon Avdyli, për vrasjen në Mortensrud në Oslo më 7 tetor.

Atë kohë, autoritetet norvegjeze publikuan edhe pamjet e tyre, ku dy ditë pas ngjarjes tragjike dy vëllezërit ishin nisur drejt Prishtinës, më 9 tetor.

Arrestimi i njërit prej vëllezërve Avdyli është raportuar gjerësisht edhe në mediat në Norvegj.

Prokurori Børge Enoksen në qarkun policor të Oslos konfirmoi për mediat atje se i akuzuari Visar Avdyli është arrestuar. Mbrojtësi i Avdylit, Øyvind Bratlien, është njoftuar për arrestimin. I pyetur se a ka komunikuar me klientin e tij, ka thënë se nuk ka pasur komunikim dhe se ditëve të ardhshme pritet të udhëtojë drejt Kosovës.

“Nuk kam komunikuar. Tani duhet të kemi një pasqyrë dhe të shqyrtojmë një udhëtim deri në Kosovë. Pastaj do të shohim se sa shpejt ai mund të ekstradohet në Norvegji. Shpresojmë se do të shkojë shpejt”, thotë Bratlien për NRK-në.

Policia tashmë është në pritje të më shumë informacioneve për procesin e ekstradimit. Gjatë arrestimit atij i është gjetur një armë zjarri, si dhe disa pasaporta të cilat me gjasë janë të falsifikuara, njofton policia e Kosovës.

Vëllai tjetër i akuzuar për vrasjen, Valon Avdyli, sipas raportimit të mediumit norvegjez u arrestua në Gardermoen në mars 2023 . Që atëherë ai është në paraburgim. Një i akuzuar i tretë në këtë rast u lirua nga paraburgimi në verën e vitit 2022.

Vëllezërit gjithmonë kanë mohuar të kenë lidhje me vrasjen. Hamse Hashi Adan ishte 20 vjeç kur u qëllua për vdekje.

“Familjarë janë të lehtësuar dhe shpresojnë se tani mund të marrin një përfundim të drejtë të çështjes” tha avokatja Catharina Cecilie për VG .

Leave a Reply

Your email address will not be published.