Prokuroria Themelore në Ferizaj ka dhënë detaje lidhur me vdekjen e shtetases ukrainase e cila u gjet pa shenja jete në autostradën Ferizaj-Prishtinë mbrëmjen e së mërkurës.
Sipas Prokurorisë rasti është duke u hetuar si “aksident trafiku” me fatalitet.
Viktima me iniciale O.K., u gjet e vdekur rreth orës 19:30 në autostradë.
“Hetuesit Rajonal të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e saj.Prokuroria me të gjitha institucionet tjera relevante janë duke punuar për zbardhjen e rrethanave të kësaj vdekjeje, dhe rasti është duke u hetuar në drejtim të veprës penale “Aksident trafiku” me fatalitet. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.