/

Haradinaj godet Kurtin për raportet me aleatët, thotë se po i ndihmon Putinit

Edhe Vladimir Putini po të kishte qenë kryetar i Qeverisë së Kosovës nuk do ta kishte ndihmuar kaq shumë veten, sa e ka ndihmuar Albin Kurti. Madje Kurti është vënë në funksion të agjendës ruse për destabilizim, duke përkeqësuar marrëdhëniet me aleatët dhe mbështetësit e Kosovës.

Ka qenë ky reagimi i ashpër i kreut të AAK-së Ramush Haradinaj, në një intervistë për A2 CNN, duke analizuar situatën në Kosovë dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët.

“Ne me shumë ngut e kemi ngritur çështjen e Kosovës në nivele të vendimmarrësve të parë të presidentit Macron e kancelarit Sholc, me mbështetjen amerikane në nivel sekretarësh shteti. Që nga marrëveshja e njohur e plani franko-gjerman qeveria jonë ka bërë kthim prapa, në vend që të shkojë në nivel e marrëdhënieve drejt anëtarësimit në NATO që ishte opsion, qeveria është kthyer prapa duke kërkuar çështje që e prishin besimin e krijuar dhe dëmtojnë marrëveshjen e arritur. Duke shkuar deri në hidhërim të vendeve aleatë të Kosovës. Edhe Putini po të kishte qenë kryetar i qeverisë së Kosovës kishte mund me e ndihmu veten më shumë sesa e ka ndihmuar Kurti Putinin. Nuk ka qenë e lehtë ngritja e çështjes tonë në nivel të presidentëve të Francës, Gjermanisë e SHBA me sekretarin Blinken. Pasi kemi arritur në këtë nivel, Kurti ka kërkuar çështje që përkeqësojnë çështjet me aleatët e sigurisë” la thënë Haradinaj.

Sipas tij, në vend që ta çojë Kosovën drejt NATO-s, Kurti është vënë në dispozicion të agjendës ruse për destabilizim.

“U kthyem në këshill të sigurimit si agresorë, kemi qenë viktima. 9 anëtarë të KS janë njohës. Kosova u nda në kritikë të mbështetësve kryesorë të vet. Ka plot skeptikë ndaj Kosovës dhe interesi i Rusisë është që të rritet skepticizmi i vendeve europiane. Dhe kjo loja me refuzime është në funksion të agjendës ruse duke e larguar Kosovën nga themeluesit e liderët e NATO-s dhe duke i nxitur armiqtë me e rreziku Kosovën”.

Për ish-kryeministrin Haradinaj çështja e dinarit serb ka prishur marrëdhëniet e Kosovës me aleatët kryesorë të saj duke rrezikuar anëtarësimin në NATO. Ai thekson se po të ishte në vendin e Kurtit do të zbatonte detyrat e ngarkuara nga SHBA me qëllim përshpejtimin e anëtarësimit në NATO.

Leave a Reply

Your email address will not be published.