Një këmbësor ka humbur jetën sot në Prishtinë, pasi që është goditur nga vetura, në afërsi të Ministrisë së Arsimit. Flora Ahmeti zëdhënëse e policisë rajone në Prishtinë, ka thënë, se policia aktualisht ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave, që kanë quar deri tek aksidenti. Ndërsa ngasësja e veturës e cila ka goditur këmbësorin, është dërguar në stacionin policor.
“Sot rreth orës 12:40 kemi pranuar informatën se në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident, kanë qenë të përfshirë një këmbësor dhe një automjet. Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësori i cili nuk ka arritë të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë . Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë quar deri te ky aksident trafiku, ndërkohë që ngasësja e automjetit është shoqëruar në stacion policor”, ka thënë Ahmeti.