Një ditë pas dështimit të bisedimeve për dinarin në Bruksel, Departamenti amerikan i Shtetit bëri thirrje që ato të vazhdojnë me urgjencë. “Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian është kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha një zëdhënës i DASH-it.
Më parë, ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, e ka pohuar hapur se vendimi për dinarin i ka vënë në pikëpyetje marrëdhëniet Kosovë-SHBA. “Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta në shprehjen e shqetësimeve për rregulloren e re”, kujtoi zëdhënësi i DASH-it për REL-in, i cili përsëriti thirrjet për të dyja palët të ulin tensionet dhe të angazhohen “seriozisht dhe urgjentisht”, në përpjekje “për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.
Paralajmërime mbërritën më herët edhe nga BE-ja. Duke përcjellë keqardhjen e bllokun për progresin e kufizuar në zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, zëdhënësi i tij Peter Stano deklaroi se po nuk zbatuan ujditë, as Kosova e as Serbia nuk mund të avancojnë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. I dërguari i Brukselitpër dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, tha pas bisedimeve për dinarin se shumë pikëpyetje politike për çështjen e tij mbetën pa përgjigje, ndaj do të nevojiten “takime shtesë” mes palëve.
Bisedimet pasuan hyrjen në fuqi të rregullores së Bankës Qendore të Kosovës e cila e përcakton euron si valutën e vetme që mund të përdoret për pagesa kesh në vend, por kjo nxiti zemërimin e Beogradit zyrtar, i cili mbështet financiarisht komunitetin serb në Kosovë.Bashkësia ndërkombëtare shprehu, po ashtu, shqetësime për ndikimin e saj në jetën e qytetarëve serbë dhe po insiston për pezullimin e saj.