Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, po merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë (ADF), ku do të jenë prezentë përfaqësues nga 147 vende të botës nën temën “Ngritja e diplomacisë në mes të krizës”.
Në këtë forum pjesëmarrëse është edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sikurse edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.
Kryetari i PDK-së tashmë ka njoftuar për takimin e tij të parë në kuadër të këtij forumi me zëvendësministrin e Jashtëm të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay, nga i cili ka kërkuar mbështetjen për njohje të reja dhe anëtarësim të Kosovës në NATO dhe Këshill të Evropës.
Më shumë se 50 panele do të mbahen në forum nga 1 deri më 3 mars dhe do të shfaqen disa ekspozita. Forumi do të mbulojë tema të ndryshme si çështjet globale, diplomacia, siguria, kriza klimatike, migrimi, islamofobia, luftërat tregtare dhe inteligjenca artificiale.