Presidenti Joe Biden dhe ish-Presidenti Donald Trump ka të ngjarë t’i afrohen marrjes së emërimit nga partitë e tyre për garën presidenciale pas votimeve të sotme paraprake, duke i hapur udhë një përballjeje historike mes tyre, me gjithë rezervat e elektoratit për kandidatët.
Në qendër të zgjedhjeve paraprake janë Presidenti demokrat Joe Biden dhe ish Presidenti republikan Donald Trump. Të dy, deri më tani, i kanë zmbrapsur me lehtësi sfiduesit në votimet paraprake dhe udhëheqin garën brenda partive, pavarësisht se anketimet tregojnë se votuesit nuk duan të shohin në 5 nëntor një përsëritje të garës së 2020.
Një anketim i fundit i realizuar nga agjencia e lajmeve Associated Pres dhe Qendra NORC për Hulumtimin e Çështjeve Publike tregon se as zoti Biden dhe as zoti Trump nuk kanë mprehtësinë e nevojshme mendore për të mbajtur sërish detyrën e Presidentit.
Ditët e fundit para Super të Martës dëshmuan se sa ndryshe është fushata presidenciale e këtij vitit. Në vend që të bënin tubime në shtetet ku do të mbaheshin votimet paraprake, zoti Biden dhe zoti Trump zhvilluan në të njëjtën kohë, të ndarë, takime përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, secili duke kërkuar epërsi në debatin për emigracionin, që është bërë një nga temat kryesore të fushatës zgjedhore.
Një ditë pasi Gjykata e Lartë vendosi 9-0 që emri i zotit Trump të ishte në fletët e voimit, pas përpjekjeve për ta penguar atë që të zgjidhej për shkak të rolit në trazirat e 6 janarit, zoti Trump vuri në dukje se 91 akuzat penale ndaj tij janë dëshmi e përdorimit të sistemit të drejtësisisë nga ana e zotit Biden.
“Bëje vetë këtë betejë. Mos përdor hetuesit dhe gjykatësit kundër rivalit tënd”, tha zoti Trump.
Presidenti Biden pritet të mbajë të enjten fjalimin kryesor mbi gjendjen e vendit. “President pritet të përqëndrohet tek politikat kryesore, hapja e një numri rekord i vendeve të reja të punës, rritja e pagave, forcimi i ekonomisë, ekonomia më e fortë në botë, ulja e kostove të energjisë dhe ilaçeve me recetë”, tha përmes një deklarate drejtori i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Ben LaBolt.
Ish Presidenti Donald Trump ka vetëm një kundërshtare brenda partisë, ish ambasadoren në Kombet e Bashkuara gjatë administratës së tij, Niki Haley, e cila është zgjedhur dy herë guvernatore në shtetin e saj të lindjes, Karolinën e Jugut.
Deri më tani, ajo ka humbur në zgjedhjet paraprake ndaj zotit Trump, me përjashtim të fitores në Uashington, gjatë fundjavës.
Ajo vazhdon të sigurojë mbështetje të fortë nga donatorët.
“Mund të zgjedhim një kandidat për president më të mirë se dy 80-vjeçarë”, tha ajo të hënën gjatë një takimi në qytetin Hjuston në shtetin e Teksasit.
Megjithëse ka mbizotëruar votimet paraprake në mesin e republikanëve, fitoret e zotit Trump kanë treguar dobësi tek disa grupe votuesish, veçanërsht në qytete kolegjesh si Hanover, Nju Hamshër, ku gjendet universiteti Dartmouth, ose qyteti Ann Arbor, ku gjendet universiteti i Miçiganit. Votimet kanë sinjalizuar mbështetje të dobët edhe në zonat ku ka përqëndrim të madh të votuesve të pavarur.
Presidenti Biden ka problemet e tij, përfshirë mbështetjen e ulët dhe anketimet që sugjerojnë se shumë amerikanë, madje shumica e demokratëve, nuk duan që një 81-vjeçar të hyjë përsëri në garë.
Fitorja e lehtë e zotit Biden në zgjedhjet paraprake në shtetin e Miçiganit u dëmtua në një farë mase nga angazhimi ndër radhët e demokratëve që nuk bien dakord me qëndrimin e Presidentit lidhur me luftën e Izraelit në Gazë.
Ata votuan si të “pa vendosur” dhe po nxisin që kjo votë proteste të zgjerohet edhe tej.
Një nga shtetet që duhet ndjekur me vëmendje, është shteti i Minesotas, që ka një popullsi të madhe myslimane si edhe votues liberalë që nuk janë dashamirës ndaj zotit Biden.