Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk është e vërtetë që është duke i prishur marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë.
Këto deklarime Kurti i ka bërë gjatë ceremonisë inauguruese të objektit të ri të Departamentit për Prodhimin e Dokumenteve, i cili funksionon në kuadër të Agjencisë për Regjistrim Civil.
“Nuk është e vërtetë”, ka thënë ai, pasi është pyetur nëse janë të vërteta deklarimet e opozitës se ai i ka prishur raportet mes Kosovës dhe ndërkombëtarëve.
Ndryshe, nga partitë opozitare në Kosovë, kryeministri Kurti është kritikuar për prishjen e raporteve me aleatët, ndërkaq lidhur me raportet ka folur edhe ambasadori amerikan.
Para disa dite ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të pakënaqura me cilësinë e partneritetit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Uljen e cilësisë së partneritetit me kryeministrin Kurti, ambasadori Hovenier e kishte lidhur edhe me Rregulloren e BQK-së që e përcakton euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi javë më parë ka takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Jeffrey Hovenier me të cilin diskutuan rreth zhvillimeve të fundit politike në vend.
Krasniqi kishte thënë se thelbësore është ruajtja dhe thellimi i partneritetit me SHBA-në.