Njohësi i marrëdhënive ndërkombëtare, Dritëro Arifi thotë se ardhja e të derguarit amerikan, Gabriel Escobar në Kosovë do të jetë me kërkesa shumë strikte.
Arifi në një prononcim thekson se do të kërkohet implementimi i marrëveshjes franko-gjermane.
“Kërkesa e ShBA-ve do të jetë shume strikte, pra në afate kohore dhe në tema specifike që i bie që Qeveria amerikane do të kërkojë implementimin e marrëveshjes franko-gjermane apo aneksin e Ohrit”, tha Arifi.
“Me këtë vizitë do t’i ngushtohet shumë hapësira manovruese Qeverisë së Kosovës, kuptohet nëse do të jetë në një vijë me Qeverinë amerikane”, shtoi ai.
Edhe, anëtarja e LDK-së, Shqipe Pantina ka folur rreth vizitës së të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Kosovë.
Pantina thekson se, në këtë takim do të flitet për probleme të panevojshme, ashtu siç është puna e dinarit.
Sipas Pantinës, fokusi duhet të ishte tek zgjidhja përfundimtare.
“Besoj se edhe kjo vizitë është pjesë e një procesi të stërzgjatur të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për një zgjidhje përfundimtare. Për fat të keq, në vend që i gjithë fokusi të ishte tek zgjidhja përfundimtare, tani duhet të flitet për probleme tjera, krejtësisht të panevojshme, siç është puna e dinarit”, tha Pantina.
Pantina tha se mungesa e dijes së qeveritarëve aktual po e mbanë Kosovën nën kthetrat e dialogut me Serbinë.
“Sikur marrëveshja përfundimtare të arrihej para 10 vitesh, ne sot nuk do flisnim për Serbinë, por për presioni mbi Qeverinë do ishte për projekte të mëdha që nxisin zhvillimin ekonomik, arsim e shëndetësi. Mungesa e dijes dhe kreativitetit të qeveritarëve, po e mban Kosovën dhe qytetarët e saj në kthetrat e dialogut me Serbinë”, tha Pantina.