/

Ja çka u bisedua në takimin Escobar-Kurti, zyra e kryeministrit nxjerr detaje

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar për takimin e djeshëm të kryeministrit Albin Kurti me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Ambasadorin Jeffery Hovenier.

ZKM thotë se duke kujtuar takimin e fundit që kishin së bashku nga tetori i vitit të kaluar, kryeministri e falënderoi Escobar për vizitën dhe foli për zhvillimet që kanë shënuar këta pesë muaj.

“Kryeministri e falënderoi Escobar për rolin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tha se sukseset e Kosovës dhe të popullit të saj janë suksese të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, në lidhje me rregulloren e Bankës Qendrore, ZKM thotë se Kurti pati diskutim përmbajtjesor e të fokusuar në adresimin e shqetësimeve të përbashkëta.

“Ai tha se vendimi i Bankës Qendrore është vendim i një institucioni të pavarur dhe profesional. Për shkak të ndikimit të rregullores në komunitetin serb të Kosovës, qeveria ka bërë veprime për të siguruar që tranzicioni të jetë i shpejtë dhe i lehtë për qytetarët e Kosovës nga komuniteti serb”.

Në njoftim më pas thuhet se “në këtë drejtim kryeministri theksoi edhe propozimet që janë prezantuar për periudhën tranzitore dhe ofroi bashkëpunimin në adresimin e shpejtë të të gjitha shqetësimeve që bien në kompetencat e qeverisë.”

Kryeministri Kurti, gjithashtu, tha se sulmi ndaj nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq, duhet dënuar.

“Sulmi është vazhdimësi e kërcënimeve të Serbisë ndaj sigurisë së Kosovës pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë ku mbet i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërkohë që kryesit e këtij sulmi ende janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi”.

Në takim, kryeministri ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Leave a Reply

Your email address will not be published.