Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, lidhur me mundësitë e vazhdimit të bisedimeve në Bruksel.
Kështu njoftoi Vuçiq më 15 mars përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram.
“Ne shqyrtuam të gjitha mundësitë dhe temat për vazhdimin e bisedimeve konstruktive në Bruksel, si dhe biseduam për hapat e nevojshëm për përparim drejt normalizimit të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinë. Sërish i bëra thirrje komunitetit ndërkombëtar që të angazhohet konkretisht dhe në mënyrë të vendosur në çështjet me rëndësi themelore për mbijetesën e popullit serb në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal”, tha Vuçiq.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës nisi zbatimin e rregullores së saj që parasheh euron si valutë të vetme për kryerjen e pagesave, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.
Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.