Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur ambasadorit të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, i cili ka deklaruar se Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova. Për këtë, ka thënë se shteti i Serbisë nuk mund të jetë pjesë e e saj përderisa ka shkelur vlerat me të cilat është ndërtuar NATO.
Osmani ka thënë se Serbia është një shtet që fle mbi varreza masive dhe se nëse dikush e konsideron atë si aleate të NATO-s, nuk i ofendon vetëm shtetet anëtare të kësaj organizate, por të gjitha “viktimat e Serbisë së Millosheviqit”.
“Ekziston vetëm një shtet më larg NATO-s se sa Serbia dhe ajo është Rusia. Një shtet si Serbia i cili vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO-ja, pra mbrojtjen nga forcat autoritare, lëre që është larg NATO-s por as që mendojë një ditë që të jetë pjesë e NATO-s. E dyta, pikërisht Serbia vetë është anti-vlerave të NATO-s, nuk ka shprehur ndonjëherë gatishmëri që të anëtarësohet ndonjëherë në NATO. Pra është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet në NATO dhe është kundër NATO-s. Serbia është shteti i vetëm që para pak muajsh ka kryer akt agresioni kundër Republikës së Kosovës”, u shpreh Osmani.
“Serbia kurrë nuk është ballafaquar me të kaluarën e saj gjenocidale, është një shtet që ka kryer krime lufte dhe akoma fle mbi varreza masive. Serbia është një shtet që akoma fle mbi varreza masive, kushdo që e konsideron Serbinë afër ANTO-s, nuk i ofendon vetëm shtet mirëpo ofendon viktimat e Serbisë së Millosheviqit”, ka deklaruar e para e shtetit.
“Serbia është një shtet i cili para pak muajsh ka kryer akt agresioni kundër Republikës së Kosovës, vazhdimisht tenton të shaktërrojë Bosnje e Hercegovinën përbrenda dhe të njëjtën e bën edhe me Malin e Zi. Kjo nënkupton që ky është një shtet njësoj sikurse Rusia, që lëre që shkel parimet dhe vlerat e fqinjësisë së mirë, por në të njëjtën kohë ndërmerr veprime konkrete e të dhunshme, duke i konsideruar fqinjtë përreth si shtete të përkohshme e jo shtete të përhershme që, në fakt, jemi. Serbia është shtet që kurrë nuk është ballafaquar me të kaluarën e saj gjenocidale. Është një shtet i cili ka kryer gjenocid, është një shtet që ka kryer krime kundër njerëzimit, është një shtet që ka kryer krime lufte dhe akoma fle mbi varreza masive. Kështu që më lejoni ta them troç! Kushdo që e konsideron Serbinë si shtet që është afër NATO-s, nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit, por njëkohësisht është duke i ofenduar edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit, e cila është njëjtë sot, siç ka qenë edhe para disa dekadave”.
Këto deklaratë për medie, Osmani e ka bërë pas adresimit në ditën e dytë të konferencës “Java e Gruas 2024”.