Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit në takim nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në Rezidencën e Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media ku thuhet se tema qëndrore e diskutimit është bashkëpunimi rajonal dhe integrimi ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit si dhe përgatitjet për Samitin e radhës të Procesit të Berlinit i cili këtë vit shënon dhjetë vjetorin e tij.
“Kryeministri e falënderoi z. Sarrazin për bashkëpunimin e mirë, kontributin dhe rolin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe në avancimin e bashkëpunimit rajonal. Kryeministri theksoi që Republika e Kosovës është e përkushtuar dhe interesuar për fqinjësi të mirë, avancim demokratik dhe progres socio-ekonomik në rajon ku qytetarët janë përfituesit përfundimtarë dhe shtoi rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të marrëveshjeve që janë arritur në Procesin e Berlinit e të cilat rrisin mobilitetin e qytetarëve dhe mundësitë për zhvillim”, thuhet në komunikatën për media.