/

Ish-diplomati amerikan thotë se UÇK-ja nuk arriti asnjëherë të ketë një strukturë të unifikuar të ushtrisë

Ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes pohoi se është e drejtë të thuhet që UÇK-ja në fakt se arriti që ta këtë asnjëherë një strukturë të unifikuar të ushtrisë.

Ky vlerësim i Byrnes erdhi gjatë përgjigjeve në kundërpyetjet e avokatit të Veselit, Ben Emmerson.

Sa i takon rolit të Veselit ai tha se funksioni i tij ishte si ministri e jashtme që duhej të komunikonte me ndërkombëtaret dhe ishte pjesë e një grupi që punonin në diasporë.

“Më sa kisha kuptuar unë ai ka qenë pjesë e këtij grupi. Grupi i personave që punoni në diasporë, kryesisht në Zvicër. Xhavit Haliti ishte një prej personave të tjerë edhe shumë të tjerë syresh të cilët udhëheqja e LPK-së kishte vendosur që t’i rikthente në rajon në mënyrë që të shfrytëzonin këto mundësi që në njëfarë forme të krijonin njëfarë udhëheqje, udhëheqje politike. Udhëheqje ndaj policisë rajonale. Pra, në thelb kjo ishte analiza jonë”, tha ai.

Byrnes tha se nga këta persona që sipas tij kanë qenë të pabindur përpiqeshin të krijonin një ushtri koherente që mund të kontrollohej dhe përfaqësohej.

“Ne besonim dhe përpiqeshim që nga këta persona të pabindur, nga kjo milici të krijonim një ushtri koherente, tamam një ushtri që ishte në gjendje të kontrollohej por edhe të përfaqësohej prej tyre përpara komunitetit ndërkombëtare”, tha ai.

Ndërsa për UÇK-në në tërësi pohoi se në thelb mbetet një grup i personave të pabindur që drejtoheshin nga komandantet e zonave të cilët kishin shumë pak kontroll nga Shtabi i Përgjithshëm.

“Po. Por, do të shtoj diçka që në fakt është analiza ime që mund ta kem pasuruar me informacione që i kam marrë pas luftës nga persona që dinin më shumë seç dija unë, persona të zonës që dinin më shumë seç dija unë. Po i referohem si zona të milicisë unë këtyre. Kishin marrëdhënie të ndryshme me shtabin e UCK-së qendrorin”, tha Byrnes.

Ai tha se këto marrëdhënie vareshin nga burimet që kishin zonat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Këto marrëdhënie vareshin në burimet, veçanërisht me kanë thënë e edhe disa prej kolegëve të mi iu kanë thënë se komandantët e zonave si Ramush Haradinaj, Remi në zonën e Llapit se ata kishin burimet e veta. Kishin vetë financim që iu vinte nga donatorët. Nuk e di se kush ishin këta dhe nga ishin, por kishin armë në zonën e Llapit. Veçanërisht, Remi dhe zëvendësi i tij, Nuredin Ibishi na kanë thënë se ata i blinin armët nga një kolonel në Nish. Disa nga zonat e tjera nuk i kishin të njëjtat mundësi. Qoftë për shkak të vendndodhjes gjeografike apo që nuk kishin financim nga donatoret. Pra, zonat e pasura ishin më të pavarura dhe me të shkëputura nga Shtabi i Përgjithshëm”, tha ai.

Ai pohoi se funksioni i dyfishtë mendonin që kishte ky grup në të cilin përshihej edhe Veseli ishin dërguar në Kosovë që të krijonin një strukturë komanduese qendrore e që nuk u arrit asnjëherë dhe varej më shumë nga zonat.

“Unë do thoja që deri në mars të 1999-tës të paktën ngeli në punë e sipër kjo gjë”, tha ndër tjerash dëshmitari.

Byrnes pohon se UÇK-ja shprehej se ishte më e strukturuar se ç ‘ishte në të vërtetë

(Përditësuar, ora 11:20)-Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes pohoi se UÇK-ja përmes dokumentacioneve paraqitej si organizatë më e strukturuar se çfarë ishte në të vërtetë.

Duke folur për rolin e Kadri Veselit dhe Shtabit të Përgjithshëm, Byrnes pohoi se punë e tyre ishte edhe krijimi i marrëdhënieve me komunitetin ndërkombëtar dhe prezantimi i UÇK-së si një organizatë më e unifikuar, strukturuar dhe më e fortë se ç’ishte në realitet.

“Po, po kështu ka qenë”, u përgjigj Byrnes në pyetjen e avokatit Emmerson.

Ai gjithashtu pohoi se ky grup e ekzagjeronin numrin e forcave që kishin për të treguar që UÇK-ja ishte e fortë nëse krahasohet me vlerësimin që kishte bërë GDOM-i

“Ky ishte gjykimi ynë”, tha ai.

Po ashtu, ai pohoi se përmes dokumentacioneve UÇK-ja shprehej si më e strukturuar se ç’ishte në realitet.

“Po ky ishte gjykimi ynë”, tha ai.

Gjithashtu duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Emmerson, Byrnes pohoi se kjo gjë që po ndodhte ta krijonte përshtypjen e një strukture vertikale në UÇK e cila në të vërtetë nuk ekzistonte si e unifikuar.

“Po. Kjo ishte në zhvillim e sipër. Kjo ishte analiza ime dhe analiza që i kam bërë unë asaj kohe po qëndron sot e kësaj dite është se ekzistonin disa elemente të strukturës vertikale, por nuk ishin të plota, absolutisht po. Në disa zona kishin marrëdhënie më të ngushtë operative krahasuar me zona të tjera”, tha Byrnes.

Byrnes për Kadri Veselin: Ka qenë një person misterioz, na kishin thënë se ishte i respektuar në rangjet e UÇK-së

(Përditësuar, ora 10:50)-Ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes tha se gjatë kohës së luftës ai kishte dëgjuar për Kadri Veselin vetëm si emër e që sipas tij ishte person misterioz.

Ai tha se kishte dëgjuar që Veseli ishte person i respektuar në rangjet e UÇK-së, por që askush nuk fliste për funksionin e tij.

“E kishim dëgjuar z. Veseli si emër. Ka qenë një person shumë misterioz sepse na kishin thënë, ose të paktën kishte të dhëna që ai ishte shumë i afërt me Hashim Thaçin dhe se kishin qenë miq të ngushtë që në kohën e studimeve në Universitetin e Prishtinës në fillim të 1990 dhe ai ishte një person i respektuar në rangjet e UÇK-së, por askush nuk fliste për funksionet dhe rangjet e tij”, tha ai.

Gjatë kësaj kohe, Byrnes tha se nuk ishte takuar asnjëherë me Veselin, por që ishin përhapur fjalët që merrej me veprimtari të inteligjencës.

“Unë nuk e kam njohur z. Veseli dhe as nuk e kam takuar ndonjëherë dhe si fakt as nuk e kam idenë se çfarë bënte. Ishin përhapur fjalë që ai merrej me veprimtari Zbulimi apo inteligjencë”, tha ai.

Ndërsa, tha se hera e parë që është takuar me Veselin ka qenë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, konkretisht deri në qershor të 1999. Ai tha se takimin e parë e kishin pasur në Prishtinë.

“Me sa me kujtohet, ai u afrua dhe u prezantua. Tha unë jam z.Veseli. (A u prezantua për rolin?) nuk me kujtohet por nuk ma merr mendja”, tha ai.

Byrnes thotë se UÇK-ja kishte boshllëqe të mëdhaja në informacion

Raporton: Blendina VELIQI

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon për të tretën ditë dëshminë ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Në seancën e paradites, kundërpyetjet për dëshmitarin i ka vazhduar mbrojtja e Jakup Krasniqit, përmes avokatit Aidan Ellis.

Duku u përgjigjur në këto pyetje, Byrnes pohoi se në një kabllogram ai kishte konfirmon që UÇK-ja ka boshllëqe të mëdhaja në informacion dhe kanë vështirësi për të parë televizor apo dëgjuar radio.

Dëshmitari njoftoi se anëtarët e GDOM-it kur shkonin në Shkup ose Beograd për të pushuar nga puna në Kosovë ose për të bërë raportime, blinin gazeta ndërkombëtare dhe me pas ua dërgonin udhëheqësve të UÇK-së që sipas tij ata e vlerësonin këtë gjë. Ai tha se këtë veprim nuk ua kishte kërkuar as Uashingtoni e as dikush tjetër por që e bënin me vetëdëshirë.

Përpara kësaj, pyetjet e Ellis u fokusuan rreth Likocit dhe lirimin e pretenduar të pesë serbëve të moshuar nga Jakup Krasniqi

Ellis i tha dëshmitarit që në asnjërën prej dorëshkrimeve të Krasniqit nuk përmenden burgosja dhe lirimi i këtyre pesë serbeve të moshuar në Likoc. I pyetur se a ka mundësi që Krasniqi të mos ketë qenë i përfshirë në këtë ngjarje, dëshmitari u përgjigj me ‘po’.

Ndërsa, për rastin me e shkëmbimit të nëntë ushtarëve të UÇK-së me tetë prej ushtrisë Jugosllave dëshmitari tha se nuk e mbanë mend nëse e ka marrë ne telefon Krasniqin për ta pyetur se ku do të bëhej shkëmbimi.

Po ashtu, ai tha se e mban mend që ai vetë ka qenë i pranishëm, por nuk e ban mend që janë bërë deklarata atë ditë.

“Ajo që mund të iu them është që unë kam qenë i pranishëm. Mbaj mend që i kam përshëndetur të burgosurit. Mbaj mend që kanë qenë media aty, por nuk mbajë mend që janë dhënë deklarata aty sepse bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhë para 25 viteve”, tha Byrnes.

Byrnes tha se as për Krasniqin nuk e mbanë mend nëse ka dhënë deklaratë për lirimin e të burgosurve.

Ndërsa prokurori tha se si datë që mbanë ky dokument është një datë çorientuese.

Me kaq përfunduan pyetjet e Ellis për këtë dëshmitar për të vazhduar më pas mbrojtja e Veselit përmes avokatit Ben Emmerson.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Leave a Reply

Your email address will not be published.