Ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, ka vazhduar dëshminë e tij në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Byrnes ka thënë se këtë dokument nuk e kishte parë më herët përveç së fundi në Hagë. Sipas tij, ky ishte një dokument politik që ta vendoste në pozitë të favorshme Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.
“Unë mund të ju them këto; në thelb ky është dokument politik i cili ka për synim ta vendos në pozitë shumë të favorshme Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në sytë e ndërkombëtarëve. Në veçanti për misionin e OSBE-së që ishte duke u krijuar. Unë jam i bindur që amnistia që ka dekretuar Shtabi i Përgjithshëm për dy gazetarët e Tanjugut ka qenë si rezultat i presionit që iu është bërë Trojkës dhe përmes Trojkës, Shtabit të Përgjithshëm”, ka deklaruar ai.
I pyetur nga gjyqtari Guénawl Mettraux se a thuhet në këtë dokument që Shtabi i Përgjithshëm ka vendosur për lirimin e gazetarëve të Tanjugut dhe dy aktivistëve të LDK-së, dëshmitari ka pohuar një gjë të tillë.
“Kështu thuhet në dokument”, ka deklaruar Byrnes, duke shtuar se sipas dokumentit ky lirim kishte ndodhur sipas një amnistie.
Ndërsa, në dokumentin që u bë publik edhe për audiencën, thuhej se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në nder të festave të nëntorit, ka vendosur që t’i amnistojë një numër të burgosurish, në mesin e tyre edhe dy gazetarët e Tanjugut.
“Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për nder të festave të nëntorit vendosi t’i amnistojë një numër të të burgosurish në mesin e tyre dy gazetarët e Tanjugut dhe dy aktivistët e LDK-së nga Malisheva. Gazetarëve ju ndërpre vuajtja e dënimit, kurse aktivistëve të LDK-së, iu ndërpritet paraburgimi, por hetimet iu vazhdojnë”, thuhej në dokument.
Tutje, në këtë dokument thuhej se lirimi i të lartpërmendurve bëhet më 27 nëntor 1998 në prani të vëzhguesve ndërkombëtarë.
“Lirimi i të përmendurve bëhet më 27 nëntor 1998, në prani të vëzhguesve ndërkombëtarë. E bëjmë këtë për të dëshmuar edhe njëherë se ashtu si nuk e kemi dëshiruar luftën që na është imponuar, nuk i duam as burgjet e as të kemi të burgosur. Jemi për paqen aq sa jemi të vendosur për lirin dhe pavarësinë e popullit dhe atdheut tonë. Me këtë akt, si edhe me aktet tjera të ngjashme, Ushtria Çlirimtare e Kosovës po dëshmon se njeh dhe respekton konventat ndërkombëtare të luftës e të paqes, se njeh dhe respekton mekanizmat relevante të bashkësisë ndërkombëtare dhe të BE-së. Por, kërkon nga faktorët në fjalë që detyrojnë regjimin e Beogradit që t’i respektojë konventat ndërkombëtare dhe luftës e paqes”, thuhej në dokument.