/

Dyshohet për tri vepra penale, çka deklaruan Prokuroria e avokati pas intervistimit rreth shtatë orësh të Martin Berishaj

Për rreth shtatë orë, Prokuroria Speciale ka intervistuar dje Ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajnpas dyshimeve për një aferë financiare të Berishajt në Slloveni, për të cilën është raportuar në media. Intervistimi i tij ka filluar rreth orës 08:30 në mëngjes, e pasdite rreth orës 15:30, avokati i tij ka konfirmuar se ka përfunduar intervistimi.

Pas interesimit të madh të mediave për këtë rast, Prokuroria ka dalë me një njoftim ku ka konfirmuar se ambasadori është intervistuar nën dyshimet për tri vepra penale: ’Shpëlarja e parave’’, ‘’Shmangia nga tatimi’’ dhe ‘’Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’’.

Nga ky institucion kanë deklaruar se Berishaj është ftuar edhe më herët për intervistim, por i njëjti kishte kërkuar që të shtyhet shkaku i angazhimit si ambasador.

“Pas interesimit të mediave, Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ambasadori, i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot me ftesë të Prokurorisë Speciale, me dyshimet për veprat penale ‘’Shpëlarja e parave’’, ‘’Shmangia nga tatimi’’ dhe ‘’Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’’. Po ashtu, ju njoftojmë se ambasadori Martin Berishaj, edhe më herët është ftuar për intervistim, por vet Berisha kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale që të shtyhet intervistimi, për shkak të angazhimit të tij si ambasador”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.

Paraprakisht, zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu, tha se nuk ka aktakuzë ndaj të njëjtit.

“Nëse do të kishte aktakuzë, do t’iu kishim informuar, si zakonisht që informojmë, përderisa s’ka , s’e kemi informu”, deklaroi Lutfiu para gazetarëve.

Pas përfundimit të intervistimit, ka reaguar edhe avokati i Berishajt, Tomë Gashi.

Ai tha se Berishaj ka dhënë deklaratë sqaruese në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës lidhur me pretendimet që kanë dalë në media.

“Martini tashmë ka dhënë deklaratë në PSRK. Deklarata e tij është konfidenciale. Unë për shkak të kësaj situate si avokat i Martinit nuk mund te ju them asgjë për përmbajtjen e kësaj deklarate”, shkroi Gashi në llogarinë e tij në Facebook.

Leave a Reply

Your email address will not be published.