Presidenti francez Emmanuel Macron do të presë të hënën në mbrëmje homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq në Pallatin Elysee për të diskutuar mbi integrimin evropian të Serbisë dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njoftoi Presidenca franceze.
Siç raporton agjencia franceze e lajmeve AFP, presidenti i Serbisë do të pritet në pallatin presidencial francez rreth orës 20:00, ku do të ketë një deklaratë të përbashkët për gazetarët, pas së cilës do të ketë një darkë për dy krerët e shtetit.
Me këtë rast, Macron do të “riafirmojë angazhimin dhe mbështetjen e plotë për integrimin evropian të Serbisë” dhe se “normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është pjesë integrale e procesit të anëtarësimit në BE”, thuhet në njoftim.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka njoftuar dje se do të ketë bisedime të rëndësishme me presidentin francez Emmanuel Macron më 8 prill në Paris. Ai tha se do të jetë një “bisedë strategjike me Macronin dhe një nga më të rëndësishmet deri më tani”, dhe se deri më tani ka pasur 19 biseda me të.