Prishtinë – “Në një shtet ku të gjithë ndihen të barabartë në mundësitë që i kanë, është shtet i suksesshëm dhe shoqëri e shëndoshë, prandaj do të jemi bashkë në përpjekjet tona që të arrijmë këtë”. Kështu deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në manifestimin e “Roma Versitas Kosova”, për nder të 8 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve.
“Kjo ditë është një reflektim për të njohur trashëgimin e qëndrueshme të komunitetit romë, kulturën e pasur, historinë dhe arritjet e jashtëzakonshme për gjatë viteve. Pavarësisht vështirësive që janë përballur, komuniteti romë ka qëndruar i fortë, duke ruajtur traditat, gjuhën, por edhe duke u përfaqësuar në institucionet tona”, deklaroi Osmani.
Presidentja në këtë ditë tha se traditat dhe trashëgimia e komunitetit romë, e pasurojnë shoqërinë kosovare dhe sjellin në vëmendje përparësitë e diversitetin që e begaton edhe më shumë shtetin e Kosovës.
Presidentja i falënderoi të gjitha qytetarë të komunitetit romë që kanë kontribuar në shtetndërtimin e Kosovës, e madje edhe sot, siç tha ajo, po japin kontribut në këtë drejtim. “Kontributi juaj në vlerat demokratike është i padiskutueshëm”, tha ajo.
Osmani tha se komuniteti rom ka lobuar që Kosova të bëhet shtet dhe të jetë i suksesshëm, e këtë po e bënë edhe sot kur Institucionet e Kosovës po ecim drejt integrimit në institucionet ndërkombëtare.
“Ta vazhdojmë angazhimin tonë të përbashkët që t’i eliminojmë praktikat diskriminuese që secili qytetar të ndihet i barabartë në Kosovë”, tha Osmani duke kërkuar që arsimimi, sidomos i vajzave, por edhe punësimi të mbesin prioritete në të ardhmen.