/

Votohet për heqjen e vizave për poseduesit e pasaportave serbe

Komiteti për liritë qytetare, drejtësinë dhe çështjet e brendshme ka votuar në favor të heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës që posedojnë vetëm pasaporta të lëshuara nga organet serbe.

Për këtë vendim kanë votuar 34 eurodeputetë, 7 ishin kundër ndërsa 12 kanë abstenuar.

Raportuesi për vizat në Parlamentin Evropian, eurodeputeti Matjazh Nemec ka cilësuar se heqja e vizave për banorët serbët të Kosovës është hap i rëndësishëm për të parandaluar diskriminimin ndaj këtyre qytetarëve, të cilët, sipas tij, rrezikojnë të trajtohen ndryshe nga banorët e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

“Ky vendim teknik nuk është një përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por një zgjidhje pragmatike për të siguruar trajtim të barabartë”, ka vlerësuar Nemec.

Hapi i radhës do jetë votimi në seancën plenare të Parlamentit Evropian, ndërmjet 22 dhe 25 prillit.

Pas perëndimit të procedurave në Parlament, dosja kalon tek Këshilli i Bashkimit Evropian ku ministrat e shteteve anëtare gjithashtu duhet të votojnë për këtë vendim.

Pas liberalizimit të vizave për Kosovën, qytetarët e vendit të cilët posedojnë vetëm pasaporta serbe, mbetën të vetmit në Ballkanin perëndimor që nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes në zonën Shengen.

Kjo kategori e qytetarëve nuk ishte e përfshirë në liberalizimin e vizave as për Kosovën e as për Serbinë kur këtij shteti iu hoq regjimi i vizave në dhjetor të vitit 2009.

Kjo është arsyeja përse në Nëntor të vitit të kaluar Komisioni Evropian propozoi heqjen e vizave edhe për poseduesit e pasaportave serbe në Kosovë.

Vetëm pas përfundimit të procedurave tek të dy institucionet vendimi publikohet ne gazetë zyrtare së bashku me datën kur qytetarët e Kosovës që posedojnë vetëm pasaporta të Serbisë mund të gëzojnë lëvizjen e lire ne zonën Schengen.

Leave a Reply

Your email address will not be published.