/

Sandulloviqi thotë se e bija e tij ishte shënjestër e një atentati në Serbi

Politikani serb, Nikolla Sandulloviq, deklaroi se vajza e tij ishte shënjestër e një atentati në Serbi.

Me anë të një postimi në platformën X ai shprehet se pasi vetë atë e rrëmbyen dhe pas tentativës për vrasje, tashmë e bija e tij ishte shënjestra.

“Ata hynë në makinën e saj dhe i hodhën sheqer në rezervuar, i cili bllokoi plotësisht motorin teksa ajo po e drejtonte dhe për pak sa nuk u shkaktua një shpërthim. Vetëm me qetësinë e saj arriti të shmangte aksidentin gjatë vozitjes dhe ndaloi në mënyrë të sigurt makinën”, shkroi Sandulloviq.

Tutje ai vë në dyshim këtë akt, duke shtuar se makina ndodhet aktualisht në një qendër servisi të autorizuar, ku motori është çmontuar plotësisht për të përcaktuar nëse sheqeri është hedhur në rezervuar.

“Regjimi kriminal në Serbi nuk heq dorë nga synimi për të më eliminuar fizikisht mua dhe vajzën time Klara. A do ta shikojë bota dhe komuniteti ndërkombëtar me qetësi dhe do ta lejojnë të ndodhë? A ka pasur një rast identik me opozitarin e vrarë Navalny?”, shkroi tutje politikani serb, Nikolla Sandulloviq, i cili u arrestua dhe u rrah brutalisht në shtetin e tij në janar të këtij viti, për çka akuzoi BIA-n e Serbisë.

Shkak për këtë dyshohet se ishte vizita e tij në Prekaz te varret e të vrarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.