Gjykata e Pejës e ka gjetur fajtor dhe dënuar me 15 vite e 6 muaj burgim, ish-mësimdhënësin Valentin Selmanajn i akuzuar për dy vepra penale; sulm seksual ndaj një nxënëseje të mitur dhe kanosje ndaj personit/dëshmitarit i cili e kishte incizuar veprimin.
Përveç dënimit me burgim si dënim unik, për këto dy vepra atij si dënim plotësues i është shqiptuar edhe masa e ndalimit të ushtrimit të profesionit në kohë zgjatje të përjetshme.
Vendimi është marrë nga kryetari i trupit gjykues për të mitur, Arben Mustafaj.
Dosja e Gjykatës e siguruar tregon se i akuzuari deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit dëbues do të qëndrojë nën masën e paraburgimit për shkak të rrezikut të ikjes me qëllim të shmangies të vuajtjes së dënimit nga i akuzuari.
Me rastin e shpalljes së këtij dënimi prej 15 vitesh e 6 muaj si dënim unik, gjykata ka marrë parasysh edhe përgjegjësinë e tij si mësues.
Departamenti për të mitur i Prokurorisë së Pejës e ka ngritur aktakuzën për këtë rast më 25.08.2023.
Sipas dosjes së siguruar, e dëmtuara kishte deklaruar në stacionin policor se i akuzuari e ka puthur në buzë dy herë, pa pëlqimin e saj.
Ndërsa i akuzuari kishte deklaruar në stacionin policor se e pranon që është mësimdhënës i viktimës, se ka qenë në dijeni të moshës së saj, se e ka përkëdhelur dhe ja ka vendosur dorën në kokë dhe se i njëjti e ka afruar afër vetit për disa sekonda, e ka afruar te faqja.
Ai e kishte mohuar sulmin seksual, por që sipas dosjes së prokurorisë, kjo është bërë me qëllim të ikjes nga përgjegjësia penale, ngase video-incizimi i kësaj ngjarjeje e vërteton të kundërtën.
Sipas dosjes së prokurorisë, ai akuzohet se e kishte kanosur edhe personin apo dëshmitarin që e kishte bërë video-incizimin e rastit në fjalë.
Këtë të fundit, dosja e prokurorisë tregon se i dyshuari e kishte vërejtur se e kishte bërë video-incizimin dhe se i njëjti e kishte kanosur duke iu drejtuar me fjalët ”ta shkatërroj edhe familjen”.
Të akuzuarit, sipas dosjes së prokurorisë i ishte bërë edhe sekuestrimi i përkohshëm i sendeve.