Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se Kosova e ka vendosur veten në një kurth të panevojshëm, teksa Serbia po përfshihet gjithnjë e më shumë në çështjet e brendshme të saj.
“Kosova e ka vendosur veten në një kurth të panevojshme me një çështje të tillë, pra sot fatkeqësisht po jemi në problemin e njëjtë dhe po e shohim edhe më shumë involvimin e presidentit të vendit fqinj në çështjet tona të brendshme, që është e papranueshme. Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i hapë sytë lidhur me këtë involvim që është shumë i dëmshëm. Dita e djeshme nuk ka zgjedhur asgjë. Vazhdojmë të kemi situatë shumë të pafavorshme sepse BE-ja vazhdon t’i shohë si kryetarë jolegjitim njerëzit që janë zgjedhur me 2-3% të votave të atyre qytetarëve. Se si do të ecë procesi tutje, ajo çka ne kemi kërkuar në vazhdimësi është të hiqen sa më parë masat e BE-së sepse dëmi po i bëhet qytetarëve jo kryeministrit e ministrave”, ka thënë ai në adresimin për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se me zhvillimet e së dielës është kuptuar që Serbia ende ka ndikim të madh te komuniteti i serbëve të Kosovës.
“Serbia duhet njëherë e përgjithmonë ta kuptojë se Kosova ka rregull të vet kushtetues, ligjor. Dje u pa që ndikimi i Serbisë te komuniteti i serbëve të Kosovës në atë pjesë të Kosovës është ende shumë i madh. Frikësimi, presioni politik, ndikimi politik i presidentit Vuçiq vazhdon të jetë me ndikim. Kosova duhet ta ushtrojë sovranitetin e plotë në atë pjesë të Kosovës”, ka thënë Tahiri.