/

Raporti i “Freedom House”: Kosova konsiderohet si vend pjesërisht i lirë, përmendet korrupsioni, veriu e dialogu

Kosova konsiderohet si vend pjesërisht i lirë sipas raportit të organizatës “Freedom House”.

Kjo organizatë ka publikuar raportin për Kosovën sa i përket vitit 2023, në të cilin Kosova konsiderohet si vend në tranzicion.

Sipas sqarimit të Freedom House, në këtë kategori hyjnë demokracitë elektorale që plotësojnë vetëm standardet minimale për zgjedhjen e liderëve dhe kanë institucione demokratike të brishta dhe ku ekzistojnë sfida thelbësore për mbrojtjen e të drejtave politike dhe lirive civile. Gjithashtu FH sqaron se në këto vende, potenciali për demokraci të qëndrueshme dhe liberale është i paqartë.

“Vendet që marrin një notë demokracie prej 3.01–4.00 janë zakonisht demokraci elektorale që plotësojnë vetëm standardet minimale për përzgjedhjen e liderëve kombëtarë. Institucionet demokratike janë të brishta dhe ekzistojnë sfida thelbësore për mbrojtjen e të drejtave politike dhe lirive civile. Potenciali për demokraci të qëndrueshme dhe liberale është i paqartë”, thuhet në sqarim.

Sipas raportit Kosova ka përjetuar një stabilitet në qeverisje gjatë vitit 2023 dhe partia e kryeministrit Kurti ka pasur një shumicë në Kuvend, kjo s’ka rezultuar me përmirësime të dukshme të funksionimit të brendshëm të shtetit apo zbatim efektiv të reformave.

Shkak për këtë, “Freedom House” përmend tensionet e vazhdueshme në Veri të Kosovës dhe ngjarjet që lidhet me dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Viti filloi me tensionet ekzistuese që nga dorëheqja masive e serbëve të Kosovës në vitin 2022 nga institucionet qeveritare dhe ngritja e barrikadave në pjesën veriore të Kosovës në fund të vitit. Në janar 2023, përpjekjet e përbashkëta të misionit të Forcave të Kosovës (KFOR) të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe Policisë së Kosovës me sukses hoqën barrikadat e mbetura. Megjithatë, ky veprim nuk shënoi zgjidhjen e krizës, e cila arriti kulmin në mesin e vitit 2023”, thuhet në Raport.

Tutje “Freedom House” jep edhe një pasqyrim të asaj se çfarë ka ndodhur në procesin e dialogut të Brukselit dhe raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Për arritjet e marrëveshjet të Brukselit dhe më pas edhe asaj të Ohrit, në raport thuhet se një zhvillim i tillë është konsideruar një pikë kthese, ku palët nga menaxhimi i konfliktit do të zhvendoseshin në arritjen e një marrëveshje finale.

“Freedom House” tutje përmend si pengesa në rrugën drejt zbatimit të marrëveshjeve, atë që ka ndodhur gjatë vitit 2023 sa i përket zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore, bojkotin e serbëve dhe dhunën që kishte shpërthyer në Veri të vendit, pasi Kosova vendosi 4 kryetarë shqiptarë në katër komunat veriore, veprim ky që çoi në vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian.

Freedom House përmend edhe dhunën dhe sulmin e armatosur që ka ndodhur në shtatorin e vitit 2023 nga grupi i Milan Radojiçiq.

“Shtatori pa një përshkallëzim shqetësues të dhunës në veri, kur një grup sulmuesish serbë të armatosur rëndë dhe të mirëorganizuar sulmuan policinë e Kosovës në një manastir në Banjska, duke rezultuar në vdekjen e një polici të Kosovës dhe tre prej sulmuesve. Milan Radojiçiq, ish nënkryetari i Listës Serbe dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit serb Vuçiç, mori përgjegjësinë për sulmin dhe janë raportuar gjithashtu lidhje të tjera midis sulmuesve dhe autoriteteve të Beogradit. Pas sulmit, ushtria serbe ndërtoi një forcë të madhe në kufirin e Serbisë me Kosovën, gjë që shkaktoi një reagim nga Shtëpia e Bardhë dhe kërkesa për tërheqjen e atyre trupave. NATO më pas vendosi të rrisë numrin e trupave që kishte vendosur në Kosovë, duke vendosur 1000 trupa shtesë”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se gjithashtu ka pasur një intensfiikim të veprimeve të Qeverisë së Kosovës sa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si rezultat i presionit ndërkombëtar.

“Në tetor, Kryeministri Kurti shfaqi fleksibilitet të shtuar në shqyrtimin e krijimit të një Asociacioni të tillë. Megjithatë, u ngritën debate dhe kundërshtime lidhur me draft-statutin e propozuar të BE-së për shoqatën. Presidentja Osmani në fjalimin e saj të fundvitit e ka cilësuar draftin si version të pranueshëm dhe Kurti e ka pranuar draft-statutin por me kusht që marrëveshjet të nënshkruhen në Bruksel. Ky kusht është refuzuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, potencon raporti.

Arritjen e marrëveshjes për pagesën e rrymës në komunat veriore të vendit, Freedom House e konsideron një përparim të dukshëm, gjithashtu si një zhvillim pozitiv e konsiderojnë edhe vendimin e qeverisë serbe për njohjen e targave të Kosovës.

“Viti përfundoi me përparim të dukshëm, pasi në dhjetor, sipas një marrëveshjeje paraprake ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një kompani serbe mori licencë nga Zyra e Rregullatorit për Energji të Kosovës për shpërndarjen dhe faturimin e energjisë në katër komunat veriore me shumicë serbe. Njëfarë progresi në rritje u bë gjithashtu në dhjetor për të zbatuar vendimin e qeverisë serbe për njohjen e targave të automjeteve të Kosovës, duke avancuar më tej Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes të arritur në vitin 2011 në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE”.

Sipas raportit, beteja kundër korrupsionit mbetet një sfidë e madhe.

“Edhe pse Kosova është në proces të hartimit të një strategjie të re kundër korrupsionit, progresi i saj është përballur me bllokada të shumta, ku kryeministri Kurti i atribuon vonesat ndërhyrjes së opozitës. Vetë qeveria Kurti u përball me një skandal korrupsioni në vitin 2023 që përfshinte rezerva shtetërore të pallogaritura, të cilat janë ende nën hetim. Shqetësim ka ngjallur edhe largimi i shefit të Njësisë së Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovës më 8 korrik, duke vënë në dyshim përkushtimin e Kosovës në luftimin e korrupsionit. Pavarësisht fushatës për një platformë antikorrupsion, qeveria Kurti ka demonstruar përparim të kufizuar në këtë çështje.”, thuhet në raport.

Leave a Reply

Your email address will not be published.