Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka folur rreth votimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Deri më tani flitej se nëse hyn në rend dite, votimi mund të ndodh në muajin maj.
“Mbetet ende punë për të bërë. E rëndësishme është që vota prej 82% është konfirmim i fuqishëm që Kosova është shtet me demokraci të konsoliduar”, ka thënë Gërvalla.
Gërvalla ka cituar raportuesen greke për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, e cila ka folur për proceset nëpër të cilat ka kaluar vendi.
“Dora Bakoyannis ka thënë që asnjë shteti para hyrjes në Këshillin e Evropës nuk i është kërkuar të plotësojë më shumë kushte se sa Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Gërvalla ka çmuar paraqitjen e presidentes Vjosa Osmani në seancën e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara.
“Ajo na bën krenar me çdo paraqitje të saj ndërkombëtare”, ka thënë ajo.
Ajo ka bërë thirrje edhe ndaj diasporës për regjistrim të popullsisë, duke e cilësuar si të domosdoshëm.
Ndërkaq nuk është raportuar për gjetjet e raportit të DASH, duke thënë se për këtë do të flasë në seancën që do të thirret për të.