Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe ka pohuar se Rusia ka pësuar rreth 450,000 viktima që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje në parlament nga Laburistët, ministri i Forcave të Armatosura, Leo Dochery tha: “Ne vlerësojmë se rreth 450,000 personel ushtarak rus janë vrarë ose plagosur dhe dhjetëra mijëra të tjerë tashmë janë dezertuar që nga fillimi i konfliktit”.
“Ne vlerësojmë gjithashtu se mbi 10,000 automjete të blinduara ruse, duke përfshirë gati 3,000 tanke kryesore luftarake, 109 avionë, 136 helikopterë, 346 mjete ajrore pa pilot, 23 anije detare të të gjitha klasave dhe mbi 1,500 sisteme artilerie të të gjitha llojeve, janë shkatërruar nga Ukraina që nga fillimi i konfliktit”, shtoi ai, shkruan The Independent.
Ndërkaq presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky këtë të shtunë bëri një apel të ri për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe dërgesat urgjente të armëve pas sulmit të fundit rus, disa orë më parë, në sektorin energjetik të Ukrainës.
Zelensky tha se Ukraina ka nevojë për një numër të mjaftueshëm të sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe armëve të tjera për të mbrojtur qytetet e saj dhe për të mbizotëruar në vijat e frontit.