/

S’do të dëgjohet dëshmitari i planifikuar për të premten në rastin Thaçi dhe të tjerët, pranohen dëshmitë e tij e dhënë më parë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, konkretisht në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së është vendosur që të mos dëgjohet dëshmitari me kodin 02486, dëshmia e të cilit ishte planifikuar që të dëgjohet përmes video-lidhjes gjatë të premtes më 10 maj 2024.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmitë e këtij dëshmitari të dhëna më herët i plotësojnë kushtet që të pranohen si prova pa qenë nevoja që ai të dëshmojë serish fizikisht, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Trupi gjykues është i bindur që dëshmia e dëshmitarit 02486 është relevante për krimet e paraqitura në aktakuzë, ‘autentika prima facie’ dhe me vlerë provues. Trupi gjykues gjithashtu është i bindur se dëshmitë e propozuara të dëshmitarit 02486 përmbushin kriteret e rregullës 153 dhe mund të pranohen pa qenë nevoja që dëshmitari të jap dëshmi i pranishëm fizikisht dhe kjo nuk krijon asnjë dëm mbrojtjes në bazë të rregullës 138(1). Kjo do të thotë që video-lidhja që ishte planifikuar për të premten anulohet”, tha kryetari i trupit gjykues.

Ndryshe, seanca e sotme po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të 62-të i cili në pyetje është duke u marrë nga trupi gjykues.

Gjatë pyetjeve që mbrojtja e Thaçit, Luka Mishetiq që i bëri në seancë publike, dëshmitari pohoi se në kohën kur ka qenë i ndaluar, njëkohësisht ka qenë për më shumë se një vit edhe vetë ai ushtar i UÇK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published.