Deputeti gjerman, Thomas Hacker ka thënë se ndërlidhja e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të ishte gabim i rëndë.
Hacker në një postim në “X” ka thënë se ka disa vende perëndimore që nuk kanë mësuar ende nga gabimet e së kaluarës.
“Lidhja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me zbatimin e Asociacionit të Komunave Serbe do të ishte gabim i rëndë. Përsëri, duket se disa vende perëndimore nuk kanë mësuar nga gabimet e së kaluarës”, shkruan ai.
Gjermania dhe Franca disa ditë mbajtjes së mbledhjes së Komitetit të Ministrave të KiE-së kanë kërkuar lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Gjatë ditës së djeshme u raportua se çështja e votimit në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk është futur në agjendën e mbledhjes vjetore të Komitetit të Ministrave, përkatësisht të ministrave të jashtëm të 46 shteteve anëtare të KiE-së.
Sipas agjendës, ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 17 maj 2024, në kuadër të 75-vjetorit të Organizatës.
Kësisoj, mbetet ende çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës do të jetë në agjendë kur ministrat e vendeve anëtarë të mblidhen në Strasburg më 16 dhe 17 maj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri thirrje të hënën që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të mos ngatërrohet me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë pasi, sipas tij, këto procese nuk e ndihmojnë njëri tjetrin.
Ai i bëri këto komente përmes një komunikate për shtyp pas një takimi me diplomatët e Quint-it dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë lidhur me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
“Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, citohet të ketë thënë kryeministri Albin Kurti në një komunikatë të publikuar nga qeveria.