/

Ka nisur takimi i kryenegociatorëve në Bruksel, Lajçak i bindur se do të gjendet një zgjidhje për dinarin

Ka nisur takimi i përbashkët i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit, me ndërmjetësimin e emisarit evropian Miroslav Lajçak, ku vazhdojnë diskutimet për atë që çuhet “çështja e dinarit”.

Është ky takimi i shtatë me radhë në kuadër të dialogut ku po trajtohet e vetmja temë – mënyrat e zbatimit të rregullores së BQK-së lidhur me pagesat me para të gatshme. Nga 1 shkurti sipas rregullores së BQK-s, e vetmja valutë për pagesë me para të gatshme është euro.

Kjo rregullore ka shkaktuar tensione të reja në relacionin Prishtinë-Beograd, por edhe ka hasur në kritika të Bashkësisë Ndërkombëtare, e cila ka kërkuar nga Prishtina zyrtare që ta shtyjë zbatimin e rregullores.

Sikur herave të tjera, edhe kësaj radhe shpresohet se ky do jetë takimi i fundit dhe se do të arrihet pajtimi për një zgjidhje kalimtare lidhur me zbatimin e rregullores. Ndërkohë, më 12 maj ka kaluar periudha tranzitore e BQK-së për këtë rregullore.

Emisari evropian Miroslav Lajçak qysh në muajin mars ka prezantuar një zgjidhje kompormisi, e cila atëbotë ishte e pranueshme për palën kosovare. Nuk ka detaje rreth përmbajtjes së propozimit, por thuhet se i njëjti është akoma në tryezë.

Vet Lajçak rishtazi nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë të ditur se pret qasje konstruktive të palëve në takimin e sotëm në mënyrë që të gjendet mënyra për të ecur përpara.

Leave a Reply

Your email address will not be published.