Departamenti amerikan i Shtetit shprehu zhgënjimin për mbylljen nga policia e Kosovës të gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit, duke thënë se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”.
“Ai (veprimi) minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve mes saj dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha një zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Zëdhënësi vë në dukje se “qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar vazhdimisht koordinim ndërmjet qeverive tona” në mënyrë që ta mbështesë përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, përfshirë së fundmi “nga nënsekretarja e shtetit Elizabeth Allen në takimin e saj me kryeministrin Kurti më 19 maj”.
Departamenti i Shtetit përsëriti shqetësimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me masat e Bankës Qendrore të Kosovës për kufizimet mbi përdorimin e dinarit serb.