Në muajin mars të këtij viti, u bë e ditur se Kosovës i është avancuar statusi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, por ky vendim pritet të zyrtarizohet në fund të këtij muaji, atëherë edhe kur do të mbahet sesioni pranveror i kësaj asambleje.
Aplikimi i Republikës së Kosovës për të qenë anëtar i asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s do të jetë në agjendë të takimit që ky institucion do ta mbajë nga 24 deri më 27 maj në Sofje të Bullgarisë.
Një gjë e tillë është konfirmuar në agjendën e publikuar nga ky institucion.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci kishte deklaruar se avancimi i Kuvendit të Kosovës nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asociuar është një hap i madh për sigurinë.
Anëtarësimi i asociuar mund të shërbejë si një hap për vendet që aspirojnë të bëhen anëtarë të plotë të NATO-s. Kjo u jep atyre mundësinë për t’u njohur me strukturat, procedurat dhe vlerat e NATO-s duke shfaqur përkushtimin e tyre për sigurinë kolektive.
Statusin e anëtarëve të asociuar e mbajnë në PE-në e NATO-s edhe Armenia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Zvicra, Austria, Ukraina, Moldavia, Parlamenti Evropian e edhe Serbia.
Siç u raportua gjatë ditës, Serbia ka nisur letër në Asamblenë Parlamentare të NATO-s duke kërkuar që Kosovës të mos i avancohet statusi.
Instituti Ndërkombëtar për Sigurinë me qendër në Beograd përmes një letre i ka bërë thirrje Asamblesë Parlamentare të NATO-s që të mos miratojë statusin e Kosovës si një anëtare e asociuar e organizatës në seancën që pritet të mbahet këto ditë.
Në këtë letër Serbia pretendon se dhënia e statusit për Kosovën do të ishte vendim i dëmshëm.
“Si një organizatë eksperte që përfaqëson dhe promovon integrimin euroatlantik dhe vlerat e tij për dy dekada, duke përfshirë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO, Instituti Ndërkombëtar i Sigurisë beson se dhënia e statusit të një anëtari të asociuar për Kosovën do të ishte i dëmshëm si për Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe veçanërisht për proceset e stabilizimit dhe integrimit euroatlantik në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në letër, raporton agjencia e lajmeve Beta.