Ukraina ka filluar lirimin e të burgosurve për të shërbyer në ushtrinë e saj, si pjesë e një skeme për të përforcuar ushtrinë.
Bëhet e ditur se një gjykatë në perëndim të Khmelnyskyt ka liruar me kusht dy burra të dënuar për vjedhje, për t’iu bashkuar ushtrisë së vendit.
“Gjykata pranoi kërkesat e tyre dhe urdhëroi Qendrën e Paraburgimit që t’i lirojë menjëherë të dy burrat nga dënimet e tyre me kusht për ta kryer shërbimin ushtarak”, thuhet në një deklaratë të ushtrisë.
“Secili nga burrat është i aftë për shërbim ushtarak, kanë kaluar një përzgjedhje profesionale dhe psikologjike dhe kanë aftësi të mjaftueshme fizike”, shton deklarata.
Siç raportohet, gjykata e Khmelnytskyt po shqyrton edhe 50 parashtresa tjera për lirimin e parakohshëm të të dënuarve që dëshirojnë të shërbejnë në forcat e armatosura.
Skema u nënshkrua së fundmi nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Zyrtarët ukrainas besojnë se masa mund të ndikojë në rritjen e ushtrisë për 20 mijë trupa.
Por, leje për t’iu bashkuar forcave të armatosura kanë vetëm të burgosurit me më pak se tre vjet dënim.
Ata që janë të dënuar për vrasje, korrupsion, përdhunim dhe vepra tjera të rënda, bllokohen nga shërbimi.
Gjithashtu, të përjashtuar janë edhe të dënuarit me sëmundje infektive duke përshirë HIV, tuberkuloz dhe hepatit.
Pas lirimit, të dënuarit do të vendosen nën një mbikëqyrje të rreptë dhe do ta kenë të ndaluar të udhëtojnë larg njësive të tyre ushtarake pa lejen e komandantit.
Kushdo që kapet duke iu shmangur kushteve të lirimit mund të dënohet me 10 vjet burg.
Deri më tash, vetëm 3,000 të burgosur kanë aplikuar për t’iu bashkuar ushtrisë.