Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka vlerësuar se përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, duhet ta pasqyrojë realitetin në raport me aksionin e Policisë së Kosovës, e cila javën e kaluar mbylli gjashtë filiale të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në pjesën veriore të vendit të banuara me shumicë serbe.
Për Konjufcën institucionet kosovare në këtë rast vetëm e ka zbatuar ligjin, andaj ai ka vlerësuar si jo të drejtë që një çështje e tillë të ndikojë negativisht në largimin e masave ndëshkuese të BE-së të vendosura Kosova në qershorin e vitit të kaluar
“Do të ishte mirë që kur Borrell ta shkruaj raportin të thotë që këto institucione ishin banka të paligjshme të Serbisë në Kosovë. Ato ishin banka të Serbisë në Republikën e Kosovës, si të tilla nuk mendoj se janë të lejueshme dhe duhet të trajtohen si e thotë ligji, ligji thotë që ato duhet mbyllur’, ka thënë ai në një prononcim për media.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, njoftoi në një konferencë për media të martën se raporti i Borrell, në dorën e të cilit është largimi i masave ndëshkuese, akoma nuk është finalizuar, ndërsa shtoi se operacioni i fundit policor në Veriun e Kosovës do të ndikojë “negativisht” në këtë çështje.