/

Gjykimi kundër Thaçit dhe të tjerëve, edhe 104 dëshmitarë do të ftohen për intervistim

Në rastin e ish-krerëve të UÇK-së do të ftohen edhe 104 dëshmitarë për intervistim, thotë zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Michael Doyle. Sipas tij, procesi i gjykimit është në mes dhe se nuk dihet kur do të përfundojë. Lidhur me ankesat për zvarritje të procesit, ai konsideron se gjyqtarët janë të përkushtuar për të siguruar që procedurat të jenë të shpejta.

Michael Doyle ka qëndruar të mërkurën në Prishtinë, ku ka informuar gazetarët për proceset gjyqësore në Hagë.

Në intervistën për KosovaPress, ai flet për ecurinë e gjykimit kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Më 6 maj, kryetari i trupit gjykues dha një përditësim për numrin e dëshmitarëve që kanë dëshmuar deri më tani. Pra, atëherë ishin 60 dëshmitarë, tani janë 68 dëshmitarë që sot kanë dëshmuar drejtpërdrejt në gjykatë, dhe 45 dëshmitarë të tjerë dëshmitë e të cilëve janë dorëzuar me shkrim dhe janë pranuar në prova nga gjykata. Gjyqtarët në këtë rast kanë pyetur gjithashtu palët për mënyrat për të përshpejtuar më tej procedurat për t’u siguruar se ato nuk janë vetëm të drejta, por edhe të shpejta. Prokuroria ka vlerësuar se do të thërrasë dëshmitarët e saj për të dëshmuar deri në prill të vitit 2025 dhe një pjesë e madhe e aktiviteteve në sallën e gjyqit së fundmi kanë qenë edhe diskutimet për ritmin e dhënies së dëshmisë nga dëshmitarët, sa dëshmitarë kanë mbetur”, deklaron ai.

Zëdhënësi i Speciales thotë se nuk dihet numri i saktë i dëshmitarëve që do të ftohen për intervistim, veçse përmend se prokuroria së fundmi ka thënë se planifikojnë të intervistojnë edhe mbi 100 dëshmitarë.

“Në fillim të kësaj jave, prokuroria tha se ata synojnë të thërrasin edhe 104 dëshmitarë të tjerë dhe gjithashtu në dosjet e fundit kanë thënë se do të ofrojnë ndryshime të mundshme në listën e tyre të dëshmitarëve në tetor të këtij viti. Pra, ne kemi 13 muaj në proces dhe jemi në mes të procesit të prokurorisë duke paraqitur dëshmitarët e saj…Është e vështirë të thuhet saktësisht. Në fillim të rastit, prokurorisë iu kërkua të jepte një vlerësim të numrit të dëshmitarëve. Vlerësimi fillestar ishte mbi 300, që më pas u reduktua në rreth 190 në total që është thënë në gjykatë, dhe tani informacionet më të fundit janë sërish se rreth 68 dëshmitarë kanë dëshmuar live, 45 dëshmitarë kanë dhënë dëshminë e tyre me shkrim dhe prokuroria së fundmi ka thënë se planifikojnë të thërrasin edhe 104 dëshmitarë të tjerë për të dëshmuar në gjykatë”, shton ai.

Në intervistën për KosovaPress, Doyle thekson se vështirë është të përcaktohet edhe kur do të përfundojë gjykimi në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Është shumë e vështirë të vlerësohet koha e përgjithshme e gjykimit sepse pasi prokuroria të përfundojë me rastin e tyre, atëherë ekipet mbrojtëse do të kenë mundësinë të kërkojnë lirimin nga akuzat dhe të presin ndonjë rezultati të kësaj. Atëherë ekipet e mbrojtjes do të fillonin të thërrisnin dëshmitarët e tyre për të dëshmuar në emër të të akuzuarve, dhe ne ende nuk e dimë se sa dëshmitarë do të thërrasë mbrojtja”, thekson ai.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka kërkuar që procesi të jetë i drejtë. Në njërën nga seancat e Dhomave të Specializuara në Hagë, ai ka thënë se gjykimi duhet të bëhet në kohë të arsyeshme dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Megjithatë, zëdhënësi Michael Doyle thotë se gjyqtarët janë të përkushtuar për të siguruar procedura të shpejta.

“Ajo që mund të them është se gjatë vitit të kaluar gjyqtarët e trupit gjykues kanë ndërmarrë hapa, duke përfshirë organizimin e seancave të veçanta, nxjerrjen e urdhrave ose miratimin e masave të caktuara me synimin për të siguruar që gjykimi të vazhdojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Kështu, në shkurt, gjyqtarët thirrën një seancë të posaçme për të dëgjuar se si në thelb mund të përshpejtohej prezantimi i çështjes së SPO-së përmes veprimeve nga të dyja palët. Pra, ajo që unë do të thoja është se gjyqtarët janë shumë të përkushtuar për të siguruar që procedurat të jenë sa më të shpejta të jetë e mundur”, përfundon ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.