Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, i cili ishte i shoqëruar nga Atasheu Policor Silvio Esposito.
Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media ku thuhet se Sveçla dhe Ambasadori De Riu biseduan për angazhimet aktuale të Ministrisë së Punëve të Brendshme, situatën e sigurisë si dhe fuqizimin e bashkëpunimit bilateral i cili do të konkretizohet në vizitën e Ministrit Sveçla në Itali që do të ketë në ditët në vijim.
“Me Ambasadorin De Riu dhe Atasheun Policor Esposito, Ministri Sveçla diskutoi edhe mbi ecurinë e bashkëpunimit policor dhe për mundësitë e avancimit të këtij bashkëpunimi. Ministria e Punëve të Brendshme dhe agjencitë e saj mbeten pjesë bashkëpunuese dhe pro aktive me autoritetet italiane dhe është gjithmonë mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve në zbatim të mandatit të saj”, thuhet në komunikatë për media.