/

“Bideni ta emërojë një emisar për njohjen e Kosovës nga pesëshja e BE-së”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, duhet ta emërojë një emisar special për njohjen e Kosovës nga pesëshja e Bashkimit Evropian, Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro, ka vlerësuar ligjëruesi në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, Edward Joseph.

Ai gjithashtu ka propozuar se paralelisht me emërimin e një të dërguari të posaçëm për njohjen e Kosovës, administrata e Bidenit duhet t’i sanksionojë liderët në Shqipëri dhe Kosovë që promovojnë ndonjë “unifikim” të këtyre dy vendeve të pavarura.

“Administrata e Bidenit mund të nxisë ofertën për konvergjencë nëpërmjet emërimit të një të dërguari të ri të posaçëm kushtuar njohjes së Kosovës, paralelisht me shpalljen e sanksioneve të SHBA-së për liderët në Shqipëri apo Kosovë që promovojnë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë”, shkroi Joseph mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor, raportoi “Euronews Albania”.

Sipas tij, emërimi i një përfaqësuesi të veçantë u tregon të gjitha palëve, duke përfshirë edhe mosnjohësit në BE, seriozitetin e administratës amerikane për konvergjencën dhe qëllimin e SHBA-së “një zgjidhje dinjitoze, stabilizuese dhe të përhershme të mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi që do të çojë në përmbylljen demokratike të çështjeve të hapura në këtë rajon”.

“Emisari Special për njohjen e Kosovës mund të punojë gjithashtu me ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në vendet që janë bindur nga Serbia për të hequr njohjen e Kosovës. Emërimi i një të dërguari special për njohjen e Kosovës do të nënvizonte pritshmërinë amerikane për ndryshime të vonuara nga vendet evropiane që nuk e njohin Kosovën”, ka shtuar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.