/

Del në skenë “marrëveshja e madhe” që po e përgatit Rusia për Kosovën me përfundimin e luftës në Ukrainë

Studiuesi i lartë dhe koordinatori i projekteve në Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS) në Tiranë, Ledion Krisafi, ka paralajmëruar Kosovën për rikthimin e mundshëm të Donald Trumpit në krye të Amerikës.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë se me rikthimin e Trumpit, do të rikthehet më imponueshëm ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka parashikuar izolim të Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse nuk e pranon këtë marrëveshje, pasi sipas tij, administrata e Trumpit është më dashamirëse me Beogradin.

“Donald Trump është i paparashikueshëm. Duhet thënë që administrata e tij ishte më dashamirëse me Beogradin se sa me Prishtinën, sidomos me të dërguarin amerikan Richard Grenell. Mendoj se ideja e shkëmbimit të territoreve mund të rikthehet dhe mund të jetë më imponuese se sa herën e parë dhe ky imponim mund të çojë në pikën që Kosova të izolohet nga SHBA nëse nuk e pranon një marrëveshje të tillë. Mund të përfundojmë në skenarin e marrëveshjes së Uashingtonin, ku Kosova dhe Serbia u detyruan ta firmosnin, pavarësisht se thuajse nuk e kishin lexuar fare marrëveshjen”, është shprehur Krisafi për gazetën “Bota sot”.

Krisafi ka folur edhe për një skenar, që në fund të luftës së Ukrainës, Rusia të ofrojë një marrëveshje të madhe kufijsh në Evropën Lindore, që do të përfshinte Ukrainën, Bosnje Hercegovinën dhe veriun e Kosovës.

“Ekziston mundësia që në fund të luftës së Ukrainës, Rusia të ofrojë një marrëveshje të madhe kufijsh në Evropën Lindore, që do të përfshinte Ukrainën, Bosnje Hercegovinën dhe ndoshta veriun e Kosovës. Kjo është një ide e vjetër ruse, por që Rusia mund të jetë në gjendje ta ofrojë nëse arrin të fitojë luftën në Ukrainë. Një marrëveshje e tillë mund të pranohej nga një administratë Trump dhe do të përfshinte dhe shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e Kosovës nuk duhet ta shohë një skenar të tillë si utopi, përkundrazi duhet të përgatitet për diçka të tillë. Nuk ka asgjë të keqe të flasim dhe për shkëmbime territoresh, nuk duhet të jetë vijë e kuqe”, ka potencuar eksperti i diplomacisë.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të jetë më realiste në politikën e jashtme.

“Nëse problemet zgjidhen një herë e mirë me shkëmbim territoresh, është një ide që duhet marrë në konsideratë. Qeveria e Kosovës, cilado qoftë, duhet të jetë më pragmatike, më realiste në politikën e jashtme. Nga Kurti shoh një idealizëm dhe dogmatizëm që nuk shkon në politikën e jashtme. Jemi në një situatë ku nuk ka më rendësi kush ka të drejtë dhe kush jo, por të gjithë shohin interesat e veta”, ka shtuar Krisafi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.