Misioni i OSBE-së nesër me fillim prej orës 10:00 do të publikojë një raport se si gjykatat në Kosovë e kanë trajtuar krimin e organizuar të nivelit të lartë dhe korrupsionin.
Raporti, pjesë e një programi më të gjerë të monitorimit të gjyqeve të OSBE-së në rajon, analizon 52 raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit (përfshirë 670 seanca dëgjimore) të monitoruara nga Misioni midis viteve 2021 dhe 2024.
I ndërmarrë me mbështetjen financiare të BE-së, raporti bën rekomandime praktike për të ndihmuar institucionet në adresimin e mangësive në ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në këtë aktivitet do të flasin Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, Ambasadori i BE-së në Kosovë Tomas Szunyog, Kryetari i Gjykatës Supreme Fejzullah Rexhepi, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Albert Zogaj, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Ardian Hajdaraj, Zëvendëskryeprokurori Agron Qalaj, për të vijuar me prezantimin e gjetjeve dhe një sesion me pyetje dhe përgjigje.
Ky projekt i zbatuar nga operacionet në terren të OSBE-së në Tiranë, Prishtinë, Sarajevë, Podgoricë, Shkup dhe që nga korriku i këtij viti, po ashtu në Beograd, do të vazhdojë deri në dhjetor 2026, kur do të publikohet raporti përfundimtar.