Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi thotë se deklarata e sotme nga ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier është deklaratë në parim.
Arifi në një përgjigje për GazetaBlic thekson se, ShBA-ja beson se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë më njohje reciproke, por sipas tij, diçka e tillë është e pamundur të ndodhë, veçanarisht brenda këtij viti.
“Deklarata e Hovenierit është deklaratë në parim, pra parimi është se çka besojnë ShBA-të se si duhet të përfundojë marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, pra me njohje reciproke. Por, duke e parë për momentin se si është tereni në Evropë dhe specifikisht raporti mes Kosovës dhe Serbisë, është e pamundur të arrihet në këtë vit njohja reciproke”, tha Arifi.
Sipas Arifit, një gjë e tillë mund të ndodhë veç atëherë kur ndrrohet Qeveria dhe presidenti serb.
Arifi shton se krahas kësaj, ajo çka ka më shumë rëndësi është se parimi i ShBA-ve nuk ka ndryshuar.
“Kjo mund të arrihet vetëm nëse ndodhë ndonjë e papritur në Serbi, me një Qeveri dhe president krejt të ri, mund të ndodhë të kemi njohje reciproke brenda këtij viti, përndryshe edhe viti 2025 është në pikëpyetje e madhe në mënyrën dhe formën se si Perëndimi e trajton Serbinë, por me rëndësi të madhe është se parimi i ShBA-ve nuk ka ndryshuar”, tha Arifi për GazetaBlic.
Kujtojmë se, Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka kërkuar sërish nga Kosova dhe Serbia që të zbatojnë obligimet nga procesi i dialogut.Megjithatë Hovenier, në fjalimin e tij në Samitin e Ballkanit Perëndimor të këtij viti, potencoi rëndësinë që dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke.
”Ne duhet të angazhohemi bashkërisht edhe kolektivisht në këto sfida politike. Veçanërisht për Kosovën meqë këtu punoj dhe jetoj, kemi një sfidë për ripozicionimin e marrëdhënieve me Serbinë”.
”Dhe Kosova duhet që së bashku me Serbinë, të punojë që të shtyjë përpara agjendën. Po. Ka një varg zyrtarësh amerikanë përfshirë edhe mua, që kalojmë shumë kohë për nevojën e zbatimit të plotë nga Kosova dhe Serbia të obligimeve që i kanë marrë përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja”.
”Përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë mes dy vendeve, sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbushë vizionin që e kemi për një Evropë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe”.”Sidomos duke marrë parasysh paqëndrueshmërinë e mundshme që mund të pasojë”, tha ai.