Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi në Prishtinë një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe më pas takimin dypalësh me praninë e delegacioneve përkatëse.
Kreu i Shtetit konfirmoi qëndrimin e Shqipërisë krah Kosovës, duke theksuar faktin se çdo sukses i Kosovës, është sukses i Shqiptarisë.
“Nuk ka rrugë tjetër. Shqipëri-Kosovë është një simbiozë që do të vazhdojë të ekzistojë”, – u shpreh Presidenti Begaj, bashkë me urimin që ditët e mira për shqiptarët të vazhdojnë të jenë të tilla, që të dyja vendet të kenë ardhmëri më të mirë.
“Kemi mundësi të përparojmë dhe të jemi faktor i rëndësishëm për stabilitetin, paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit” – u shpreh Presidenti Begaj, duke theksuar se për Shqipërinë mbrojtja dhe promovimi i Kosovës është në çdo axhendë ndërkombëtare.
“Funksionet publike janë të përkohshme, kombi është i përjetshëm”- vlerësoi Presidenti i Republikës.
Presidenti Begaj e cilësoi 12 Qershorin e vitit 1999 si ditën që solli lirinë mbi vuajtjet, mbi persekucionin, mbi spastrimin etnik, mbi gjenocidin dhe kjo liri, – u shpreh ai, – është e të gjithë atyre atdhetarëve që dhanë jetën, sakrifikuan dhe kontribuuan për Kosovën.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës rikonfirmoi qëndrimin e tij për anëtarësimin e Kosovës në NATO, dhe për këtë angazhim, si dhe për lobimin në procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës, mori falënderime dhe mirënjohjen nga Kryeministri Albin Kurti.
Gjatë këtij takimi, Presidenti i Shqipërisë, në vijimësi të iniciativave, të cilave u është përkushtuar, propozoi që edhe Kosova të shpallë festë kombëtare 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Për këtë kërkesë ai gjeti aprovimin e Kryeministrit Kurti.
Gjatë bisedës u trajtuan edhe çështje të shkëmbimeve kulturore dhe arsimore, ku një rëndësi e veçantë iu kushtua bashkëpunimit për lehtësimin e studimor të njohjes së historisë sonë nëpërmjet organizimit të shkëmbimeve mrs shkollave.