Forca e Kosovës (KFOR) e udhëhequr nga NATO shënoi sot (12 qershor 2024) një çerek shekulli angazhim dhe përkushtim drejt sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal, në një ceremoni në Kampin “Film City” (Shtabi i KFOR-it).
Veprimtaria u kryesua nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, dhe morën pjesë Vjosa Osmani-Sadriu, shefat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Organizatës. për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), dhe Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian, si dhe nga ambasadorë të shumtë të vendeve kontribuuese të trupave të KFOR-it, dhe udhëheqës fetarë.
“Është privilegj të qëndroj këtu me të gjithë ju, si Komandant i misionit më të gjatë në historinë e Aleancës sonë, dhe aktualisht më i madhi i saj; KFOR-i përfaqëson angazhimin e prekshëm, afatgjatë dhe të palëkundur të NATO-s për sigurinë në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të përditshëm të ushtarëve dhe personelit të tij civil”, tha gjeneralmajor Ulutaş.
“Më lejoni të nderoj shërbimin dhe sakrificën e tyre dhe të nderoj ata që humbën jetën duke i shërbyer këtij misioni; pa angazhimin e qindra mijëra burrave dhe grave që shërbyen nën KFOR-in gjatë 25 viteve të fundit, NATO nuk mund të kishte luajtur një rol kaq të rëndësishëm në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.
“Roli i KFOR-it mbetet thelbësor; Jam i nderuar që vazhdoj ta ndaj këtë rrugëtim me ju dhe nuk do të kursej asnjë përpjekje, së bashku me mijëra gra dhe burra me uniformë, nga aleatët dhe partnerët e NATO-s, të cilët jam krenar që komandoj”, theksoi komandanti i KFOR-it.