/

U prezantua si agjent: Ky është Faik Imeri, nxiti dhënien e deklaratave të rrejshme kundër Thaçit e Veselit në Gjykatën Speciale

Cila është historia e manipulimit nga Halit Sahitaj dhe kush është njeriu që ai tha se e kishte nxitur në këtë operacion kundër krerëve të UÇK-së?

Kjo histori është zbuluar në dokumetarin “Manipulimi Special”, transmetuar në Opinon/TV Klan dhe Albanian Post-Tiranë.

Halit Sahitaj i kishte bërë përgjegjës Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin për rrjedhjen e dokumenteve të Prokurorisë së Specializuar në shtator të vitit 2020 e për të cilin janë gjykuar dhe dënuar udhëheqësit e veteranëve të luftës, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.

Më pas, ai tërhoqi deklaratat e tij. U rrëfye para prokurorëve të Hagës se ishte instruktuar nga dikush tjetër se çfarë të thoshte; se ka pasur një kontratë të shkruar që do ta vërtetonte tregimin e tij; dhe se posedonte screenshots të mesazheve e thirrjeve telefonike.

Ky zhvillim, i nxjerr në dritë në nëntor të vitit 2022, forcoi më tutje shqetësimet e mëhershme për implikimet e strukturave të shtetit serb në procesin gjyqësor kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Dëshmitari tërhoqi pretendimet e tij dhe pohoi se jo vetëm që kishte gënjyer, por që edhe ishte nxitur të gënjente nga një informator – i cili (i) kishte qenë në kontakt të rregullt me Zyrën e Prokurorit të Specializuar; (ii) duket se ishte pika e tyre e kontaktit për një numër dëshmitarësh në gjykim, dhe (iii) pohon se ka pasur kontakte të rregullta dhe direkte me Prokurorin e Specializuar. Të dy individët del se kanë lidhje me Shërbimin Sekret Serb”, thuhet në një shkresë të avokatit britanik, Ben Emmerson, publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.

Një hulumtim që përfshin një analizë të detajuar të komunikimeve publike mes ekipeve mbrojtëse dhe Prokurorisë së Specializuar, ka mundur të konstatojë se personi që thuhet se e kishte nxitur Halit Sahitajn të bënte deklarata të rreme kundër Thaçit dhe Veselit është – Faik Imeri.

Në një shkresë të tij, publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara, Emmerson kishte folur për Imerin si një njeri që kishte vepruar si “ndërmjetësues” i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Një pjesë e një paragrafi, që duket se Gjykatës i ka ikur si i paredaktuar në publik, e zbulon qartë se bëhet fjalë për Faik Imerin.

“Sa i përket pretendimit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar se (REDAKTUAR) nuk është “një ndërmjetësues”, Mbrojtja vë në dyshim përdorimin e saj të termit, duke qenë se (REDAKTUAR) vazhdimisht u ka ofruar atyre drejtime hetimore, ka lehtësuar kontaktin me dëshmitarët dhe, në të vërtetë, e konsideron veten si ndërmjetësues”, thuhet në shkresë.

Kjo fusnotë është prova që ofrohet nga Emmerson për ta mbështetur argumentin se Faik Imeri kishte pranuar vetë se kishte shërbyer si “ndërmjetësues” i Prokurorisë së Specalizuar në Hagë.

“Ne kemi ndermjetësuar, njëfarë varianti, të gjithë ata që kanë pasur dëshirë ta kontaktojnë Gjykatën Speciale”, kishte thënë kohë më parë Faik Imeri, gjatë një paraqitjeje televizive në Kosovë.

E paredaktuar duket se ka ikur edhe një fjali e Emmerson, në transkriptin dhe në videon e seancës statusore të 4 nëntorit 2022, ku ai përmend Imerin si një “burim të njollosur”, pasi i kërkon Prokurorisë së Specializuar identitetet e të gjithë dëshmitarëve të dërguar nga ai.

“… Derisa Prokuroria t’ju japë identitetin e të gjithë dëshmitarëve që dalin nga burimi i njollosur, Imeri”, thotë Emmerson.

Leave a Reply

Your email address will not be published.