Finlanda po dyshon se katër aeroplanë ushtarakë rusë kanë shkelur hapësirën e saj ajrore më 10 qershor, ka njoftuar Roja Kufitare Finlandeze.
Së fundmi, Ministria finlandeze e Mbrojtjes tha se dyshon se një aeroplan i vetëm ushtarak rus ka shkelur hapësirën ajrore të vendit nordik të NATO-s për rreth dy minuta.
“Ndërsa hetimet vazhdojnë, është bërë e qartë se përveç një aeroplani rus të raportuar më herët, ka gjithashtu arsye për të dyshuar edhe për tre aeroplanë të tjerë”, tha Roja Kufitare.
Nga katër aeroplanët, dy besohet të jenë bombardues dhe dy luftarakë, si dhe thuhet se kanë depërtuar rreth 2.5 kilometra në hapësirën ajrore finlandeze, pranë qytetit Loviisa.
“Sigurisht, nëse këto lloj shkeljesh të hapësirës ajrore nodhin, dhe nëse ato janë të qëllimshme dhe serioze, ne reagojmë ndaj tyre. Por, hetimet vazhdojnë dhe Garda Kufitare është përgjegjëse për të”, tha shefi i Mbrojtjes i Finlandës, Janne Jaakkola.
Ndryshe, sipas Ministrisë finlandeze të Mbrojtjes, shkelja e mëparshme territoriale nga aeroplanët rusë ka ndodhur në gusht të vitit 2022.