Komuna e Podujevës ka emëruar një rrugë në qytet me emrin e ish-eurodeputetes, Doris Pack, e cila pas kësaj ngjarje u shpreh se ndjehet shumë krenare.
Ajo u shpreh se kjo tregon se njerëzit e Kosovës e dinë se ajo është shumë afër zemrës dhe jetës së tyre.
“Ndihem shumë e përulur, por jam shumë krenare dhe mendoj se është e vetmja rrugë në botë që ka emrin tim. Kjo tregon se njerëzit e Kosovës e dinë se unë jam shumë afër zemrës dhe jetës së tyre, dhe që jam këtu që nga viti 1990. Viti 1990 ishte hera ime e parë në Kosovë dhe nga kjo kohë po ndjej me popullin, po vuaj me popullin dhe ndonjëherë kam qenë e lumtur me popullin”, u shpreh ajo.
Doris Pack u shpreh se Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës dhe shpreson se do të ndodhë së shpejti.
“Por, gjërat shkuan në një drejtim të mirë. Dhe shpresoj shumë që një e ardhme e tillë të jetë më e mirë se e kaluara. Nuk mund të bëj aq shumë sepse nuk jam më në post aktiv, por mendoj se do të jem zëri i Kosovës në pjesën perëndimore dhe do të kem gjithmonë kontakte me kolegët e mi në Parlamentin Evropian për t’u dhënë atyre një ide se çfarë do të thotë të ju ndihmoj juve, sepse ata ndihmojnë një vend shumë demokratik i cili meriton të jetë anëtar i Këshillit të Evropës dhe shpresoj se do të ndodhë së shpejti”, është shprehur Pack.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se ky është një veprim i vogël që e kanë bërë për, siç është shprehur ai, një njeri kaq të madhe që ka dhënë kaq shumë për Kosovën.
Bulliqi gjithashtu theksoi se me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Podujevës, njëri nga aktivitetet e 19 qershorit është shpallja si qytetare nderi ish-eurodeputetën Doris Pack.
“Është një veprim më e vogël që kemi mundur me e bë për një njeri kaq të madhe që ka dhënë kaq shumë për Kosovën e cila ka kontribuar në aspektin e internacionalizimin e çështjes së Kosovës, por jo vetëm sepse kontributi i saj ka vazhduar edhe pas luftës në njohjen e pavarësisë së Kosovës, prandaj si Kuvend Komunal kemi marrë vendim që të shpallim qytetare nderi të komunës sonë dhe njëkohësisht në vazhdën e krejt këtyre aktiviteteve 19 qershorit, Ditës së Çlirimit të Podujevës kemi vendos një rruge të rëndësishme këtu t’ia lëmë emrin e kësaj mike të madhe shqiptare për çka e falënderoj shume që është në mesin tonë dhe besoj që kontributi, angazhimi i saj është shumë më i madh. Ne jemi gjithmonë borxhli që ta ruajmë si mike të mirë dhe ta respektojmë çfarëdo situate qoftë”, ka shtuar tutje Bulliqi.