/

Ukshini pak optimist se masat e BE-së ndaj Kosovës do të hiqen

Ish-ambasadori, Sylë Ukshini është pak optimist se masat e BE-së ndaj Kosovës do të largohen.

Sipas Ukshinit, BE-ja ka kalkuar në mënyrë jo të sinqertë për këto masa, sepse kushti i kërkuar për Kosovën nga BE-ja për këto masa sipas tij është përmbushur.

“Nuk kam shumë optimizëm për faktin se ka qenë më e udhës pas atij referendumi që u bë në veri për largimin e kryetarëve me njëfarë forme u përmbush kushti, BE-ja ka kalkuar në mënyrë jo të sinqertë pasi heqja e masave në prill do të thoshte heqja e barrierave për anëtarësim të Kosovës në KiE”, ka deklaruar Ukshini.

Se a do ketë rekomandime për heqjen e tyre, Ukshini thotë se janë tri qëndrime brenda BE-së, si “qëndrimi për t’i hequr, gradual, dhe për të mos i hequr” masat.

Në anën tjetër, edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Melazim Koci ka thënë se këto masa është dashur të largohen që në prill kur edhe u bë votimi në veri për largimin e kryetarëve e që u bojkotua nga serbët.

“Mendoj se deri në momentin e votimeve në veri, referendumit për largimin e kryetarëve shqiptarë ka pasur logjikë që Kosovës të mos i heqen masat, por nga ai moment kur serbët kanë bojkotuar këtë votim, nuk ekziston asnjë arsye që ato masa të vazhdojnë”, ka deklaruar Koci.

Ai thotë se është gabim që Kosova ta lidhë fatin e saj me Serbinë pasi sipas tij Serbia po blen kohë dhe Kosova nuk duhet të merret me të.

“Serbia tash sa kohë blen kohë për të pritur rrethana tjera gjeopolitike, sa i përket marrëveshjes së  fundit franko-gjermane, qeveria jonë nuk pati strategji, ka vepruar ad-hoc. Nëse Kosova e lidh fatin e saj me Serbinë, është shumë gabim”, ka vijuar Koci.

Ndryshe, sot, kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ua ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së raportin lidhur me masat që i janë vënë Kosovës më shumë se një vit më parë, ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Në raport është bërë vlerësimi nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të vëna për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit, në maj dhe qershor të vitit 2023.

Atëbotë, BE-ja pati thënë se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim të situatës.

Megjithatë, nuk dihet nëse Borrelli ka rekomanduar heqjen e masave.

Diskutimi i parë rreth këtij raporti do të mbahet të mërkurën në nivel të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.

Megjithatë, në atë takim nuk pritet të merret një vendim se si të veprohet për masat.

Dorëzimi i këtij raporti, qoftë edhe me rekomandim të qartë, nuk do të thotë se masat hiqen menjëherë.

Ky raport vetëm do t’iu shërbejë vendeve anëtare për ta rikthyer këtë çështje në agjendë dhe për të filluar shqyrtimin e mundësisë së heqjes së masave në të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published.