Zyrtarja e lartë e PDK-së Vlora Çitaku, ka vizituar sot ish-presidentin e Kosovës në Hagë.

Ajo ka dhënë detaje rreth bisedave që kanë zhvilluar. Çitaku ka treguar në detaje për bisedat që ka pasur me të.

“Në korridoret e pafundme të burgut në Hagë, atmosfera është e zymtë dhe e ftohtë. Më irritojnë zhurmat e dyerve të hekurta që hapen njëra pas tjetrës. Sikur duan të ma përplasin fytyrës: këtu është e burgosur një pjesë e historisë dhe lavdisë së Kosovës!

Pamja, disponimi dhe humori i Presidentit ishte pikërisht ai që prisja të shihja. Në 25 vjetorin e çlirimit, flasim për të kaluarën, betejat e panumërta, që ai dhe shokët e tij i zhvilluan në përpjekjet për liri. Kujtojmë sakrificat e popullit tonë, gjakun e derdhur të dëshmorëve dhe martirëve. Të qindra fëmijëve – ëndrrat e të cilëve u prenë në gjysmë nga një regjim gjenocidal. I tregova edhe për Leotrimin e vogël – i cili u përjetësua në bronz një ditë më parë në Skenderaj.”, ka shkruar ajo në Facebook.

Më tej Çitaku ka treguar se kanë biseduar edhe për të tashmen

“Përkundër sfidave, Presidenti natyrisht, si gjithmonë, flet me bindje për të ardhmen e ndritur të Kosovës. Vizioni i tij mbetet i qartë. Besimi i tij në popullin tonë, i palëkundur. Pavarësisht hekurave, shpresa dhe aura e tij më mbushin frymëzim.
E pyes edhe për shokët: Kryetarin Veseli, Kryetarin Krasniqi, Rexhep Selimin dhe të tjerët. Nga afër e shoh se si lidhja mes këtyre burrave në Hagë, e krijuar në zjarret e luftës, është shumë e fuqishme. Ata marrin forcë nga njëri-tjetri.“, ka vijuar ajo,

Derisa ka bërë të ditur se biseduan edhe për kampionatin evropian të futbollit.

“Folëm pak për kampionatin e futbollit. Më tregoi që po e përcjellë aq sa mundet, e kur po ka kohë. E pyeta kënd po e mbështetë? Dihet, më tha
Koha kalon shumë shpejt. Derisa përgatitem të largohem, në qëndrimin e Presidentit nuk shoh një të burgosur. E shoh një burrështetas, trashëgimia e të cilit nuk mund të njolloset nga askush dhe asgjë.Në dalje e sipër kujtohem për heronjtë dhe të pamposhturit, për qëndrueshmërinë e popullit tonë. Errësira dhe padrejtësia nuk janë të reja për ne. Por me besim, guxim e dinjitet, do t’i tejkalojmë përsëri, ashtu siç bëmë 25 vjet më parë.Kosova do të bëhet – sepse është ngritur mbi shpatullat e gjigantëve. Presidenti Thaçi më la edhe një herë me një të vërtetë të pamohueshme: Dielli do të lind përsëri!Hagë, 20 qershor 2024.”, ka përfunduar Çitaku.