Presidenti i zgjedhur Donald Trump nuk përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake dhe ekonomike për të marrë nën kontroll Kanalin e Panamasë dhe Grenlandën, gjatë një konference shtypi të mbajtur të martën në Florida, ku ai trajtoi një sërë çështjesh. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara njofton se komentet e zotit Trump u bënë disa orë pasi djali i tij Donald Trump Jr., zhvilloi një vizitë të papritur në Groenlandë.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara duhet të kontrollojnë si Groenlandën, territorin gjysmë-autonom danez ashtu edhe kanalin e Panamasë, që lidh Detin e Karaibeve me Oqeanin Paqësor.
Në një konferencë shtypi në rezidencën e tij në Mar-a-Lago të martën, zoti Trump u pyet nëse për arritjen e këtij qëllimi, do të përjashtonte përdorimin e forcës ushtarake apo ekonomike.
“Jo, nuk mund t’ju siguroj për asnjërën prej të dyjave, por ajo që mund të them është se kemi nevojë për to, për çështje që lidhen me sigurinë ekonomike“, tha zoti Trump.
Javën e kaluar, Panamaja festoi 25 vjetorin e tranferimit të kontrollit të Kanalit të Panamasë nga Shtetet e Bashkuara tek autoritet e këtij vendi.
“Kanali do të mbetet në duart tona përgjithmonë. Sot ne shohim flamurin panamez të valëvitet lirisht, sikur të kishte qenë gjithmonë aty”, tha President i Panamasë José Raúl Mulino.
“Askush nuk e di nëse Danimarka gëzon ndonjë të drejtë ligjore mbi këtë territor, edhe nëse e ka, duhet të heqë dorë, sepse për ne është i nevojshëm për çështje të sigurisë kombëtare si dhe për mbrojtjen e botës së lirë. Nuk keni nevojë as për dylbi për të parë anije kineze e ruse kudo (në Grenlandë). Nuk do ta lejojmë të ndodhë”, tha Presidenti i zgjedhur Donald Trump.