Turqia dhe Siria u goditën të martën nga disa tërmete shkatërruese, ku për pasojë mbi 7 mijë persona deri më tash kanë humbur jetën dhe mijëra të tjerë janë lënduar.
Institucionet e Kosovës kanë konfirmuar se në mesin e viktimave në Turqi deri tash nuk ka asnjë shtetas të Kosovës.
Ambasadori i Kosovës në Ankara, Agon Vrenezi ka thënë për DTV se kanë kontaktuar me tri familje që kanë qenë në zonat e prekura nga tërmeti dhe se të njëjtit kanë shpëtuar pa lëndime.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara ka kontaktuar me tre familje që kanë qenë në zonat e prekura nga tërmeti. Fatmirësisht të gjithë kanë shpëtuar pa lëndime dhe janë larguar nga zona e rrezikshme”, ka thënë Vrenezi.
Ambasadori ka shtuar se në ditët në vijim, do të përpiqen në vazhdimësi që të hulumtojnë nëse ka ende shtetas të Kosovës në atë pjesë të Turqisë.
Ndryshe edhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në një përgjigje për DTV ka bërë të ditur se kanë arritur t’i identifikojnë dhe kontaktojnë tri familje nga Kosova, të cilët kanë qenë duke qëndruar në zonën e goditur nga tërmeti.
Kosova i ofroi mbështetje Turqisë pas tërmetit, duke i dërguar pjesëtarë të Forcës së saj të Sigurisë, të trajnuar për operacione të kërkim-shpëtimit.
E mërkura 8 shkurtit është shpallur Ditë Zie Shtetërore në Kosovë, në shenjë solidarizimi me Turqinë dhe viktimat e këtij tërmeti.
Tërmeti që goditi Turqinë, kishte fuqi prej 7.8 shkallësh të Rihterit.
Ai ndodhi në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit dhe epiqendra ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në dhjetë qytetet më të prekura: Gaziantep, Kahramanmarash, Hatai, Osmanije, Adijamana, Mallatja, Shanlvurfa, Adana, Dijarbaker dhe Kilis.
Gjendja e jashtëzakonshme do të jetë gjatë tre muajve të ardhshëm.
Tërmeti shkaktoi dëme të shumta, si në njerëz ashtu edhe materiale, edhe në Siri. Të prekurit atje raportohet se po përballen me më shumë vështirësi për shkak të mungesës së ndihmës adekuate.