Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në lidhje me takimet e djeshme të palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel.
Rama tha se paqja dhe bashkëpunimi janë çelësi për të ardhmen dhe se për këtë u detyrohemi fëmijëve tanë në këtë rajon të shkatërruar prej shekujsh nga mungesa e paqes dhe bashkëpunimit.
“E mirëpres pëlqimin e të dy palëve për Marrëveshjen për rrugën e normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është një moment historik i rëndësishëm për paqen rajonale dhe unë inkurajoj fuqimisht të gjitha palët e përfshira që të vazhdojnë të punojnë për një zbatim të shpejtë. Për paqen dhe bashkëpunimin, Shqipëria është dhe do të mbetet një besimtare dhe një model. Ne mbështesim plotësisht çdo përpjekje për të kapërcyer të kaluarën”, ka shkruar Rama.
Rama gjithashtu ha se uron që kryeministrin Albin Kurti mos ta akuzojnë për tradhti.
“Uroj që askush të mos e akuzojë Albin Kurtin për tradhti apo harresë, por gjithkush të kuptojë se kryeministri i sotëm i Kosovës ka bërë gjënë e duhur, duke u hedhur një hap të parë me shumë rëndësi drejt daljes nga kurthi i të djeshmes. Hapa të tjerë pasofshin pa humbur kohë!”, ka shkruar Rama.