/

Miratohet Projektligji për lirinë fetare – Mungesa e Listës Serbe, problem për votimin në Kuvend

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione ka shqyrtuar ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë.

Projektligji u miratua në fund të komisionit, me 7  vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Mirëpo, si problematike, gjatë këtij komisioni u pa mungesa e Listës Serbe, raporton DTV.

Duda Balje, kryetare e komisionit tha se mungon lista serbe në këtë komision dhe i ftoi ata që të bashkëngjiten.

“Nëse tash është momenti për ta hapur këtë temë, unë po e marr si fatkeqësi që nuk e kemi grupin e Listës Serbe për këtë komision, pasi ata nuk kanë dërguar asnjë deputet. Dua ta ftoj Listën Serbe që të punojmë bashkërisht në Kuvend”.

Tutje, duke folur për Ligjin, Balje tha se ai është në favor të të gjitha feve në Kosovë.

“Vërtetë ligji është pozitiv dhe shkon në favor të të gjitha feve në Kosovë”, tha ajo.

Tinka Kurti, zëvendëskryetare e parë, tha se Ligji ka pasur zvarritje derisa ka arritur në komision.

“Pas një zvarritje që ka marrë disa kohë për të ardhur në këtë komision, është mirë ta miratojmë për rrugën e vet ligjore”, tha ajo.

Edhe Eliza Hoxha nga PDK u shpreh e shqetësuar për mungesën e Listës Serbe, pa të cilët nuk mund të miratohet ligji në Kuvend.

“Për mua, brenga kryesore është, duke e pasur parasysh gjendjen politike, mungesa e Listës Serbe shkakton probleme”.

“Nëse nuk ka vullnet nga palët politike me grupin serb që të jenë pjesë e komisionit, nëse nuk ka vullnet prapë ligji do të mbetet në Kuvend”, tha Hoxha.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.